Buffon: Mos-fitimi i Ligës së Kampionëve me Juventusin nuk ishte kurrë një plagë për mua

  • A.P /
  • 11 February 2024 - 09:17
Buffon: Mos-fitimi i Ligës së Kampionëve me Juventusin nuk ishte kurrë një plagë për mua

Gianluigi Buffon u rrëfye për “dështimin e tij” për të fituar Ligën e Kampionëve, si dhe keqardhjet më të mëdha të karrierës së tij.

Legjenda e Juventusit dhe Italisë fitoi pothuajse çdo trofe të mundshëm gjatë karrierës së tij të gjatë 29-vjeçare, por jo edhe atë të Ligës së Kampionëve.

Buffon u pensionua nga futbolli në fund të sezonit të kaluar pas një periudhe dy-vjeçare në Serie B, me Parman. Tani ai po punon si kreu i delegacionit për Kombëtaren e Italisë, duke marrë detyrën një muaj para emërimit të Luciano Spallettit si trajner.

Duke folur për “Eco di Biella”, ish-portieri italian fillimisht foli për dashurinë e tij për Juventusin.

“Juventusi ishte jeta ime futbollistike, kishte kujtime të mrekullueshme, një aventurë, rritje dhe përkushtim njerëzor nga pikëpamja sportive. Universi i Juventusit i kthen me kokë poshtë siguritë tuaja, por në momentin që do të keni sukses, ata kurrë nuk do të heqin dorë nga ju”, tha fillimisht ai.

Buffon pastaj foli për dështimin e tij për të fituar Ligën e Kampionëve, duke thënë se kjo asnjëherë nuk ka qenë plagë për të.

“Nuk ka qenë kurrë një plagë për mua, për mua ishte nxitja për të luftuar çdo vit për diçka jashtëzakonisht të madhe. Nëse më duhet të them një gjë të përgjithshme që prek botën e Juventusit, shokët e skuadrës dhe trajnerët, më erdhi shumë keq për ta dhe për tifozët që e kanë dëshiruar këtë trofe për pak a shumë tridhjetë vjet. Për mua, të luaja në Ligën e Kampionëve ishte tashmë gëzim, triumfi do të ishte ‘mbyllja e një rrethi’, por nuk më intereson”, deklaroi 49-vjeçari.

Ai u pyet edhe për ndonjë keqardhje nga karriera apo jeta e tij si lojtar.

“Më pëlqen të mendoj se papërsosmëria ime u jep të tjerëve një ide për njerëzimin dhe më bën të afërt me njerëzit. Kam bërë shumë gabime, sidomos kur isha i ri. Ajo për të cilën jam më pak krenar është se kam blerë diplomën time në moshën 18-vjeçare, nuk do ta bëja më”, shpjegoi ish-portieri i Paris Saint-Germainit gjithashtu.

Në fund, Buffon foli për vendimin e tij për t’u tërhequr nga futbolli vitin e kaluar.

“Për herë të dytë në një vit e gjysmë ndjeva tendosjen në pulpë të këmbës. Thashë ‘le ta mbyllim këtu’, sepse këto janë lëndime që në mosha të caktuara përsëriten me kalimin e kohës, ndjeva se e kisha shijuar veten”, deklaroi Gianluigi Buffon. 

(Kosova Sot Online)