Përmbyllet java e 19-të në Superligën e Kosovës, ja cilat ekipe regjistruan fitore

  • A.P /
  • 11 February 2024 - 15:14
Përmbyllet java e 19-të në Superligën e Kosovës, ja cilat ekipe regjistruan fitore

Është përmbyllur java e 19-të në Superligën e Kosovës, pas tri ndeshjeve të zhvilluara sot. Kjo ishte edhe java hapëse e stinorit pranveror.

Ballkani regjistroi fitore në udhëtim ndaj Lirisë, ashtu si edhe Prishtina ndaj Feronikelit ’74. Pikët e plota i mori edhe Dukagjini.

Ballkani triumfoi me rezultatin bindës 0:3 në “Përparim Thaçi”, me golat e Gentrit Halilit, Almir Kryeziut dhe Armend Thaqit.

Therandasit pas kësaj fitore kanë 43 pikë dhe vazhdojnë kryesimin në tabelë, me gjashtë pikë më shumë se Llapi, që mban pozitën e dytë.

Liria mbetet në pozitën e fundit (10) me vetëm nëntë pikë të grumbulluara.

Me rezultatin e pastër 2:0 fitore regjistroi Prishtina, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Sami Kelmendi” të Lipjanit.

Jalen Blesa dhe Mërgim Pefqeli realizuan për fitoren e kryeqytetasve. Pefqeli golin e gjeti nga penalltia.

Prishtina tani ka 29 pikë dhe ngjitet në pozitën e katërt, kurse “Nikli” mbetet i shtati me 21 pikë.

Dukagjini fitoi me përmbysje ndaj Malishevës. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “18 Qershori” u mbyll me rezultatin 2:1.

Malishevasit shkuan në pushimin mes pjesëve me epërsi minimale, falë golit të Drilon Hazrollajt.

Por, klinasit përmbysen gjithçka në pjesën e dytë duke shënuar dy herë përmes Iljasa Zulfiut dhe Paulo Victor.

Dukagjini tani ka 27 pikë dhe vazhdon të jetë i gjashti në tabelën e Superligës.

Malisheva mbetet në kuotën e 29 pikëve, por bie në pozitën e pestë. 

(Kosova Sot Online)