Luiza Gega: Hera e parë që fitoj dy medalje ari

  • A.P /
  • 12 February 2024 - 14:06
Luiza Gega: Hera e parë që fitoj dy medalje ari

Luiza Gega vazhdon të shkëlqejë dhe të ngrejë lart flamurin kuqezi. Në Stamboll, aty ku u mbajt kampionati Ballkanik, atletja garoi në 1500 metra dhe 3000 metra, duke marrë vendin e parë. Gega ia doli t’i lërë mbrapa të gjitha konkurrentet, duke marrë kështu një sukses të rëndësishëm dhe duke siguruar medalje.

Në garën e 1500 m, Gega mbërriti e para në finish me kohën 4 minuta, 15 sekonda e 84 të qindtat, mbi dy sekonda më shpejt sesa ndjekësja më e afërt, Subatan Burgu e Turqisë dhe thuajse 4 sekonda më shpejt se Koraini Kiriakopoulu e Greqisë, që plotësoi podiumin.

Ndërkohë, në garën e 3000 m, Gega mbërriti e para në finish me kohën 9 minuta, 7 sekonda e 3 të qindtat, më tepër se 5 sekonda më shpejt sesa ndjekësja më e afërt, Pelinsu Shahin e Turqisë dhe thuajse një minutë më shpejt se Anastasia Panajota Marinaku e Greqisë, që plotësoi podiumin.

Gega u shpreh se kjo është hera e parë që fiton dy medalje ari brenda orës, pasi të realizosh dy gara është e vështirë dhe duhet të japësh maksimumin.

Ishte hera ime e parë që fitoja dy medalje ari, pasi nuk është e lehtë të realizosh dy gara brenda orës, është e vështirë se duhet të japësh maksimumin dhe lodhja është në limite. E kam provuar më parë të realizoj dy gata brenda orës por nuk ia dola.

Jemi një vend i vogël dhe përpiqem që për aq kohë sa kam një formë të mirë, të bëj maksimumin dhe ti sjell medalje atletikës shqiptare por dhe të testoj veten për të parë se sa  mund të arrij të mbaj.

Përsa i përket mbështetjes nga ana e qeverisë, Gega u shpreh se deri më tani ka marrë 90% të shpërblimeve dhe nuk do të heshtë derisa të marrë atë që meriton.

Karriera ka dhe një kosto financiare dhe vetëm vitet e fundit kam arritur ti marr. Deri tani kam marrë 90% të shpërblimeve por unë do të ngre zërin deri sa të marr të gjitha shpërblimet sepse janë e drejtë e imja. Nuk po kërkoj asgjë që s’më takon dhe VKM-ja ka disa mangësi të cilat shpeshherë ne kemi hasur dhe vështirësi, nuk njihet një rekord ballkanik që unë kam vendosur në Kampionatin Botëror të vitit 2022, Federata Botërore e njeh, por Ministria  e Arsimit dhe Sportit nuk e njeh.

(Kosova Sot Online)