Kroos flet për vendimin e rikthimit te Gjermania dhe kontratën me Real Madridin

  • S.A /
  • 13 February 2024 - 08:54
Kroos flet për vendimin e rikthimit te Gjermania dhe kontratën me Real Madridin

Përpara ndeshjes së 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve ndaj Leipzigut, Toni Kroos në konferencën për media u pyet nëse do të rinovojë kontratën me Real Madridin dhe për një rikthim të mundshëm në Kombëtaren e Gjermanisë, transmeton "Kosova Sot Online ".

Kontrata e tij me “Los Blancos” skadon më 30 qershor të këtij viti. Nëse nuk rinovon, ai mund të largohet si lojtar i lirë nga skuadra që e ka përfaqësuar për gati një dekadë.

“Nuk e di, me të vërtetë. Më vjen mirë që kaq shumë njerëz duan që unë të vazhdojë. Nuk ka asnjë vendim ende”, tha Kroos.

“Këto janë të gjitha problemet që kam. Unë nuk kam marrë asnjë vendim”, u përgjigj ai më vonë, kur u ngritën njëkohësisht temat për të ardhmen e tij dhe rikthimin nga pensioni për të luajtur për Gjermaninë në Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet këtë verë në tokën gjermane.

“Dua ta përfundoj karrierën time në një nivel shumë të lartë. Jam i njëjti si një vit më parë. Do të shohim. Dua të marr vendimin e duhur. Kombëtarja është një mundësi, por unë nuk kam vendosur asgjë”, vazhdoi 34-vjeçari.

“Nuk jam i shqetësuar për atë që mund të ndodhë. Një vendim mund të merret përpara fundit të sezonit. Do ta marr kur të mendoj se është koha. Nuk është e lehtë të luash për kaq gjatë në një nivel të lartë. Jam i kënaqur me performancën time, por sezoni i vërtetë fillon në mars ose prill”, shpjegoi ish-mesfushori i Bayern Munichit.

Përmirësimi i Kroos veçanërisht në punën e tij në mbrojtje është vërejtur nga shtypi dhe ai pranoi se është përpjekur të punojë në atë fushë të lojës së tij.

“Kam luajtur më shumë herë si ‘6’. Duhet të mendosh pak më shumë për mbrojtjen sesa si ‘8’. Doja të përmirësohesha në këtë aspekt, sepse këtu luajmë shumë në sulm”, tha ai.

Sa i përket dëshirës së Madridit për të ngritur një trofe të 15-të të Ligës së Kampionëve, Toni Kroos tha se nuk e di nëse ata janë favorit, megjithëse ata kanë treguar se janë “të aftë” këtë sezon.

“Një ditë e keqe të nxjerr jashtë garës”, deklaroi pesë herë fituesi i këtij trofeu.

(Kosova Sot Online )