Sonte mbrëmje e ‘zjarrtë’ në Champions, sytë e drejtuar kah Italia

  • S.A /
  • 21 February 2024 - 11:31
Sonte mbrëmje e ‘zjarrtë’ në Champions,  sytë e drejtuar kah Italia

Liga e Kampionëve do të vazhdojë sonte me dy ndeshjet e fundit të së tetës së finales, transmeton "Kosova Sot Online ".

Dueli kryesor i natës do të jetë ai mes Napolit dhe Barcelonës. Amir Rrahmani me shokë do të përballen me katalunasit të prirë nga trajneri i tyre i ri, Francesco Calzona, i cili dy ditë më parë e zëvendësoi të shkarkuarin Walter Mazzarri.

Trajneri i ri i napolitanëve ka thënë se gjithçka është e mundshme, duke besuar se kampioni aktual i Italisë do të mundë ta eliminojë kampionin aktual të Spanjës. Nga ana tjetër, trajneri Xavi Hernandez nuk e konsideron ekipin e tij favorit duke insistuar se gjasat janë 50 me 50 për të dyja ekipet. Katalunasit po kalojnë nëpër momente të vështira në këtë edicion dhe trajneri Xavi e ka zyrtarizuar largimin në fund të sezonit. Napoli do të mundë të llogarisë nga minuta e parë në të rikthyerin Victor Osimhen, i cili rikthehet nga Kupa e Kombeve të Afrikës pasi s’kishte luajtur për napolitanët që nga 23 dhjetori. Tek Barça pritet të rikthehet Joao Felix, ndërsa ekipi mbetet pa Alejandro Balde, Gavi, Ferran Torres, Marcos Alonso e Sergi Roberto. Sa u përket përballjeve paraprake, katalunasit i kishin fituar dy ndeshjet e mëparshme në fazën eliminuese, ndërsa dy ndeshje kishin përfunduar baras, me Napolin që s’ka fituar asnjëherë ndaj Barçës. Në fazën e grupeve, Napoli e mbylli grupin në vendin e dytë prapa Real Madridit. Ndërsa, Barça ishte lidere e grupit të saj duke e lënë prapa Porton.

Image

E kjo e fundit do të jetë pjesë e një sfide tjetër interesante sonte.Portugezët do ta presin Arsenalin, i cili ishte lider i grupit të tij në fazën e grupeve. Të dyja ekipet do të mundohen të nxjerrin rezultat të favorshëm në lojën e parë para përballjes së tyre të dytë në “Emirates Stadium”. Dy ndeshjet e sontme të Championsit do të nisin në orën 21:00

(Kosova Sot Online )