Përmbyllet java e 22-të në Superligën e Kosovës në futboll

  • A.P /
  • 25 February 2024 - 15:41
Përmbyllet java e 22-të në Superligën e Kosovës në futboll

Është përmbyllur edhe java e 22-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Derbi i kësaj jave i luajtur në stadiumin “Zahir Pajaziti” mes Llapit dhe Prishtinës nuk prodhoi fitues, me ç’rast llapjanët lëshuan rastin për të rrëmbyer pozitën e liderit në tabelë.

Kjo ndeshje u mbyll pa gola.

Llapi tani 44 pikë dhe mbetet i dyti në tabelë, me vetëm një pikë më pak se lideri, Ballkani.

Prishtina është e pesta me 31 pikë.

Fitore regjistroi skuadra tjetër pretedente për titull, Drita, e cila në shtëpi mposhti Dukagjinin, për t’iu afruar kështu edhe më shumë kreut të tabelës.

Ndeshja e zhvilluar në Gjilan u mbyll me rezultatin 2:0, me gjilanasit që të dy golat e fitores i gjetën në pjesën e dytë.

Fillimisht shënoi Raddy Ovouka (56′), e më pas edhe Samson Obioha (71′).

Drita pas kësaj fitore ka 43 pikë dhe është e treta në tabelë. Dukagjini mbetet i gjashti me 30 pikë.

Fitues nuk pati as në ndeshjen e zhvilluar mes dy skuadrave nga fundi i tabelës, Lirisë dhe Fushë Kosovës.

Ky takim, që u zhvillua në stadiumin “Përparim Thaçi”, u mbyll baras dhe pa gola.

Liria mbetet në pozitën e fundit (10) me 10 pikë të grumbulluara, kurse Fushë Kosova është e parafundit me dy pikë më shumë.


(Kosova Sot Online)