Mbappe në Real Madrid flet presidenti i La Ligas

  • A.P /
  • 27 February 2024 - 22:42
Mbappe në Real Madrid flet presidenti i La Ligas

Kylian Mbappe është gjithnjë e më afër zyrtarizimit te Real Madridi.

Ylli francez pritet t’i bashkohet gjigantit spanjoll në verë, duke kaluar si lojtar i lirë nga Paris Saint-Germaini.

Është një histori që ka shkaktuar entuziazëm në rritje te madrilenët, dhe në përgjithësi tifozët në Spanjë, ku përfshihet edhe presidenti i La Ligas, Javier Tebas.

Ai foli për këtë çështje kur iu drejtua mediave ditën e sotme, raporton “AS”.

Tebas beson se një marrëveshje mes Mbappes dhe Real Madrid është thuajse e kryer.

“Kam ndjenjën se ai ka nënshkruar. Nëse thuhet nga ata që zakonisht kanë informacionin më të afërt me Florentino Perez, atëherë e besoj. Ka një 99.9% shanse”, tha ai.

Tebas gjithashtu dha edhe vlerësimin e tij në lidhje me atë se çfarë do të thotë kalimi i Mbappes te Real Madridi për La Ligan në tërësi.

“Ne do të kemi një nga lojtarët më të mirë në botë, megjithëse tashmë kemi Bellingham, Vinicius, Griezmann, Lewandowski. Ne do të jemi liga më e mbushur me yje në botë”, deklaroi Javier Tebas.

Nuk ka dyshim se Real Madridi do të jetë një prej skuadrave më sulmin më të frikshëm nga sezoni i ardhshëm me transferimin e kapitenit të Francës.

(Kosova Sot Online)