Guardiola zgjedh zëvendësuesin e Xavit te Barcelona

  • A.P /
  • 01 March 2024 - 17:47
Guardiola zgjedh zëvendësuesin e Xavit te Barcelona

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, e kishte zakon të besonte dhe të kërkonte këshill nga legjenda, Johan Cruyff, në lidhje me vendimet e mëdha, dhe ishte ai që guxoi të emëronte Pep Guardiolan si trajner të ekipit të parë në vitin 2008.

Tani, Laporta thuhet se ka kërkuar këshillë nga Guardiola lidhur me trajnerin e ardhshëm, pasi siç dihet, Xavi do të largohet në fund të këtij sezoni.

Sipas “Catalunya Radio”, Laporta i kërkoi spanjollit këshillën e tij se kë të emëronte si trajnerin e tyre të ardhshëm, mes një sërë opsionesh.

Trajnerët gjermanë, Thomas Tuchel, Hansi Flick dhe Julian Nagelsmann, janë paraqitur si preferencat e Laportas deri më tani, ndërsa, trajneri italian i Brighton Hove & Albion, Roberto De Zerbi, është emri tjetër që është lidhur ngushtë me këtë pozicion.

Guardiola thuhet se i tha Laportas se ai duhet të emërojë italianin si zëvendësues të Xavit, të cilin ai ka qenë prej kohësh një admirues dhe e ka lavdëruar shpeshherë në të kaluarën.

Barcelona thuhet se nuk është e gatshme të paguajë klauzolën e lirimit të De Zerbit, e cila është rreth 10-15 milionë euro.

Nëse 44-vjeçari kalon te Barcelona, ​​ai ose do të duhet të negociojë një tarifë më të ulët me Brightonin, ose të largohet si i lirë duke prishur kontratën me klubin anglez.

Roberto De Zerbi me “Pulëbardhat” ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2026.

(Kosova Sot Online)