PSG ka regjistruar barazimin e tretë rresht

  • A.P /
  • 10 March 2024 - 16:00
PSG ka regjistruar barazimin e tretë rresht

Paris Saint-Germaini ka regjistruar barazimin e tretë rresht në Ligue 1.

Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique ndau pikët sot me Reimsin, në kuadër të javës së 25-të.

Ndeshja e zhvilluar në “Parc des Princes” përfundoi me rezultatin 2:2.

Yunis Abdelhamid (17′ autogol) dhe Goncalo Ramos (19′) shënuan për parisienët, kurse Marshall Munetsi (7′) dhe Oumar Diakite (45′) ishin autorët e golave te skuadra mysafire.

Vlen të theksohet se PSG-ja nisi ndeshjen pa Kylian Mbappen, i cili u aktivizua vetëm në minutën e 73-të.

Siç dihet, ylli francez do të largohet në verë nga kampioni në fuqi i Francës dhe Enrique kishte deklaruar ditë më parë se “skuadra duhet të nisë të mësohet edhe pa të në formacion”.

Paris Saint-Germaini pas këtij barazimi ka 56 pikë në krye të tabelës, dhjetë më shumë se Bresti, që mban pozitën e dytë.

Reimsi ndodhet në pozitën e nëntë me 35 pikë të grumbulluara. 

(Kosova Sot Online)