Xavi tregon se cilin lojtar të Napolit do të dëshironte ta shihte te Barcelona

  • A.P /
  • 11 March 2024 - 18:49
Xavi tregon se cilin lojtar të Napolit do të dëshironte ta shihte te Barcelona

Xavi pranon se Napoli është përmirësuar nën drejtimin e Francesco Calzonas dhe zbuloi se do të donte ta shihte Stanislav Lobotkan te Barcelona.

Barcelona do të jetë nikoqire e Napolit nesër mbrëma, kur edhe do të zhvillohet ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave, e vlefshme për 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve.

Xavi u paraqit sot në konferencën para gazetarëve, ku foli rreth këtij takimi.

“Napoli ka cilësi të larta individuale. Tre lojtarët e sulmit të Napolit janë të nivelit të lartë. Është një lojë e madhe kundër një klubi të madh, kampionit në fuqi të Italisë. Nuk ka favoritë, është 50-50. Turma duhet të na mbështesë dhe të mendojë se stadiumi duhet të jetë si një ‘tenxhere’ me presion. Ne duhet të tregojmë identitetin tonë dhe të kemi personalitet. Ata janë përmirësuar me një trajner të ri, janë më dinamikë. Kemi të bëjmë me lëndime të rëndësishme, por duhet të garojmë. Ne ishim më të mirë se ata në Napoli dhe duhet të jemi më mirë këtu”, tha fillimisht ai.

Xavi pranoi se ndeshja e nesërme është më e rëndësishmja e sezonit për skuadrën e tij.

“Është, por ne jemi gati, me besim. Ne nuk kemi luajtur në çerekfinale që katër vjet. Ne përballemi me një skuadër që nuk është në momentin më të mirë, por e ka fituar titullin sezonin e kaluar. Ne kemi nevojë për një stadium të mbushur plot”, shtoi trajneri i Barçës.

Duke folur për ekipin e Napolit dhe duke u përpjekur të parashikojë më të rrezikshmit për Barçën e tij, Xavi tha: “Më pëlqejnë lojtarët e Napolit në sulm. Politano, Kvara dhe Osimhen, por edhe si mbrohen. Më pëlqen Lobotka; ai është i mirë në formim dhe nuk e humb topin. Do të doja ta shihja në një klub si Barça”, deklaroi Xavi. 

(Kosova Sot Online)