Nuk ka pushim për Superligën e Kosovës

  • A.P /
  • 12 March 2024 - 18:20
Nuk ka pushim për Superligën e Kosovës

Nuk ka pushim për Superligën e Kosovës, pasi këtë mesjavë zhvillohet xhiroja e 25-të e saj.

Ndeshja më interesante e kësaj mesjave luhet të mërkurën mes Malishevës e Llapit.

Në pesë xhirot e fundit, të dy ekipet kanë formë përafërsisht të ngjashme.

Llapjanët shkojnë në Malishevë për të kërkuar një tjetër fitore në synim për ta rrëmbyer pozitën e parë në tabelë, pasi momentalisht vetëm një pikë e ndanë me kreun.

Në krahun tjetër, Malisheva e cila pësoi xhiron e kaluar, pas katër fitoreve radhazi, kërkon këndelljen dhe të vazhdojnë luftën për një nga pozitat që të dërgon në Evropë.

Të mërkurën luan edhe kampioni dhe lideri aktual, Ballkani, në udhëtim te Fushë Kosova, ku shihen favorit, të paktën në letër.

Por, suharekasit duket të mundohen për të parë fitore, pasi xhirove të fundit kemi pa një këndellje të Fushë Kosovës.

Kampionët në fuqi të Superligës kanë hyrë në seri të mirë dy javët e fundit dhe për këtë vazhdojnë të jenë në krye të tabelës.

Kundërshtari i tyre ka marr pesë pikë në tri ndeshjet e fundit, por vazhdojnë të jenë të parafundit në tabelë.

Dita e mërkurë mbyllet me ndeshjen Gjilani-Liria. Formë tejet e dobët për të dy ekipet tash e disa xhiro. Të kuqtë nga Gjilani nuk kanë lëvizur nga vendi i tetë tash e një kohë të gjatë, njëjtë siç kanë bërë prizrenasit në të fundit.

Një tjetër ndeshje interesante ajo mes Prishtinës e Dukagjinit, dy skuadra që po luftojnë për dalje në Evropë.

Momentalisht, dallimi është tre pikë, më mirë qëndrojnë prishtinasit të pestit, e klinasit të gjashtit. Që të dy ekipet kanë vetëm nga një fitore në pesë sfidat e fundit kampionale.

Një tjetër skuadër që po lufton për titullin kampion, Drita, këtë të enjte i shkon Feronikelit 74, që mori fitoren e parë me një krye trajnerin Shefki Kuqi.

Të kaltrit nga Gjilani u rikthyen tek fitorja xhiron e kaluar, por kanë mbetur pesë pikë larg liderit. Kurse, Nikli e ka blinduar vendin e shtatë me 26 pikë.


(Kosova Sot Online)