Superliga rikthehet me tri ndeshje sot, derbi në Malishevë

  • S.A /
  • 13 March 2024 - 10:11
Superliga rikthehet me tri ndeshje sot, derbi në Malishevë

Superliga e futbollit kosovar nuk ka pushim. Në këtë mesjavë do të luhet xhiroja e 25-të e ligës elitare. Sot do të luhen tri takime, e dy të tjera nesër, transmeton "Kosova Sot Online ".  Pa diskutim, dueli kryesor i mesjavës do të luhet në Malishevë.

Mrekullia e këtij sezoni do të jetë mikpritëse e kandidatit për titull të kampionit, Llapi. Në pesë xhirot e fundit, të dy ekipet kanë formë përafërsisht të ngjashme. Llapjanët shkojnë në Malishevë për ta kërkuar një tjetër fitore në synimin për ta rrëmbyer pozitën e parë në tabelë, pasi momentalisht vetëm një pikë e ndan me kreun e tabelës. Në krahun tjetër, Malisheva e cila pësoi humbje në xhiron e kaluar pas katër fitoreve radhazi, do ta kërkojë këndelljen dhe ta vazhdojnë luftën për një nga pozitat që dërgojnë në Evropë. Sot do të luajë edhe kampioni dhe lideri aktual, Ballkani, në udhëtim te Fushë Kosova, ku shihen si favorit, të paktën në letër. Por, suharekasit duket të mundohen për ta parë fitoren, pasi xhirove të fundit e kemi parë një këndellje të Fushë Kosovës, e cila synon të mbetet në ligë. Kampionët në fuqi të Superligës kanë hyrë në seri të mirë në dy javët e fundit dhe për këtë vazhdojnë të jenë në krye të tabelës. Kundërshtari i tyre i ka marrë pesë pikë në tri ndeshjet e fundit, por vazhdon të jetë i parafundit në tabelë.

Dita e sotme do të mbyllet me ndeshjen Gjilani – Liria.

(Kosova Sot Online )