Foda: Hungaria është e fortë por ne do të luajmë me vetëbesim

  • A.P /
  • 25 March 2024 - 17:21
Foda: Hungaria është e fortë por ne do të luajmë me vetëbesim

Kombëtarja e Kosovës do të luajë nesër mbrëma ndeshjen miqësore ndaj Hungarisë, që vlerësohet se do të jetë një test i vërtetë për ekipin e drejtuar nga Franco Foda.

Trajneri gjerman u paraqit sot në konferencën për media në Budapest, ku u deklarua rreth kësaj ndeshjeje, teksa përmendi edhe fitoren minimale të arritur në miqësore ndaj Armenisë.

“Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë me Armeninë. Kemi një skuadër që ka kualitet të mirë teknik dhe lojtarët janë shumë të mirë në tranzicion, megjithatë do të jetë e vështirë të luajmë ndaj një skuadre të fortë si Hungaria, që ka shumë kualitet”, tha fillimisht përzgjedhësi i “Dardanëve”.

“Ne duhet të përballemi me skuadra të nivelit të Hungarisë, që është e kualifikuar në Kampionat Evropian sepse edhe synimi ynë është të kualifikohemi. Pavarësisht sa kombëtare e fortë është Hungaria, ne do të luajmë me vetëbesim”, deklaroi Foda.

Ndeshja mes Hungarisë dhe Kosovës do të zhvillohet nga ora 19:00, në stadiumin “Puskas Arena”. 

(Kosova Sot Online)