Kosova pëson humbje ndaj Hungarisë në Budapest

  • A.P /
  • 26 March 2024 - 21:14
Kosova pëson humbje ndaj Hungarisë në Budapest

Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në miqësoren e dytë dhe të fundit për këtë muaj.

Të përzgjedhurit e Franco Fodas pësuan sonte ndaj Hungarisë në Budapest

Ndeshja e luajtur në “Puskas Arena” përfundoi me rezultatin e pastër 2:0.

Kosova pati një paraqitje për t’u vlerësuar në pjesën e parë, e cila u mbyll baras dhe pa gola.

“Dardanët” e dominuan këtë pjesë me posedim dhe raste shënimi, teksa Edon Zhegrova ishte ai që rrezikoi seriozisht portën e vendasve me një goditje të rrezikshme në minutën e nëntë.

Megjithatë, fytyrë tjetër kishte Kosova në pjesën e dytë, në të cilën nuk është se krijuan diçka dhe si rezultat pësuan dy gola.

Fillimisht ishte ylli kryesor i hungarezëve, Dominik Szoboszlai (58’), që ndëshkoi Kombëtaren tonë, teksa fitoren e vendosi Zsolt Nagy (86’).

Kosova dhe Foda do të kenë edhe dy teste tjera në muajin qershor, para se të nisin sezonin e ri në Ligën e Kombeve, në shtator.

Kombëtarja e Kosovës do të ketë për kundërshtar Norvegjinë në një miqësore të qershorit, derisa ka mbetur për t’u konfirmuar edhe një miqësore tjetër.

Vlen të theksohet se Kosova në miqësoren e kaluar të këtij muaji kishte regjistruar fitore minimale në udhëtim ndaj Armenisë. 

(Kosova Sot Online)