Prishtina e Dinamo përfundojnë në disiplinor

  • G.G /
  • 03 April 2024 - 11:56
Prishtina e Dinamo përfundojnë në disiplinor

Prishtina dhe Dinamo kanë përfunduar në disiplinor me vendim të Komisionit të Garave të Superligës, Ligës së Parë dhe Superligës U21, i cili u mblodh dje.

Bazuar në raportet e delegatëve, kontrollorëve, zyrtarëve të FFK-së si dhe të dhënat nga protokollet zyrtare të ndeshjeve, lidhur me rregullsinë e fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të ndeshjeve, Komisioni i Garave pas administrimit të të gjitha materialeve dhe shkresave të prezantuara, incizimeve televizive, raporteve të personave zyrtarë të FFK-së si dhe mediave vendosi për të bërë inicime disiplinore ndaj:

“FC ”Prishtina”. Motivi: Në minutat 25, 28, 47 dhe 48 të ndeshjes së xhiros së 27-të të Albi Mall Superligës, Prishtina – Ballkani, tifozët ndezin dhe hedhin mjete piroteknike, shurdhuese brenda rrethojës së fushës, ndërkaq në min e 79–të të ndeshjes, shajnë dhe ofendojnë në kor gjyqtarin kryesor të ndeshjes. Sipas raportit të delegatit të ndeshjes Prishtina – Ballkani” dhe ndaj:

“KF ”Dinamo”. Motivi: Lëshim në organizimin e ndeshjes. Pas përfundimit të ndeshjes së xhiros së 20-të të Raiffeisen Ligës së Parë – Grupi A, Dinamo- Suhareka, derisa personat zyrtar nën përcjellje të policisë po shkonin në zhveshtore, në hyrje të tunelit një person i paautorizuar sulmon me grushta gjyqtarin kryesor të ndeshjes duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka është detyruar të shkojë në emergjencë për trajtim mjekësor. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor dhe protokolit zyrytar të ndeshjes Dinamo-Suhareka.”

Gjithashtu, në disiplinor përfundoi edhe menaxheri i Dukagjinit, Ilir Desku për shkak se e pengoi lëvizjen e gjyqtarit anësor në vijën kufizuese të fushës dhe në një moment e kap atë për dore, për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt në ndeshjen Gjilani – Dukagjini.

Edhe trajneri i Flamurtarit, Liridon Leci përfundoi në disiplinor pasi “pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes me Ramiz Sadikun, në zhveshtoret e lojtarëve e ka goditur me shkelm lojtarin me nr 6 te ekipit mysafir, për çka është ndëshkuar me karton të kuq direkt.”

Po ashtu, në disiplinor përfundoi edhe drejtori sportiv i Ramiz Sadikut, Betim Sylejmani pasi në duel me Flamurtarin, “në min e 53-të pas akordimit te penalltisë për ekipin vendas ndëshkohet me karton të kuq, pas ofendimeve të vazhdueshme në drejtim të gjyqtarit kryesor dhe gjyqtarit të katërt.” 

(Kosova Sot Online)