25 vjet, plot dyshime për kurdisje, sot dënimi i dytë në histori

  • A.P /
  • 11 April 2024 - 20:06
25 vjet, plot dyshime për kurdisje, sot dënimi i dytë në histori

Që 25 vitet e fundit në futbollin e Kosovës ka pasur ndeshje të panumërta të përfolura të dyshuara për kurdisje. Por dënimet kanë munguar. Vetëm sot, FFK-ja e konfirmoi një ndeshje të kurdisur, atë në mes Ulpianës dhe Vllaznisë së Pozheranit. Deri sot, 14 vjet më parë FFK-ja e kishte shqiptuar vetëm një dënim për kurdisje, atë të vitit 2010 ndërmjet Fushë Kosovës dhe po kësaj Ulpiane, e cila edhe në disa raste të tjera ka ngjallur dyshime.

Që nga paslufta, dyshimet për kurdisje në futbollin e Kosovës nuk janë ndalur asnjëherë. Me dhjetra e dhjetra ndeshje të kategorive të ndryshme të futbollit të Kosovës, përfshirë edhe ato të elitës janë dyshuar për kurdisje.

Por, dënimet nuk kanë ekzistuar, ndërsa fenomeni vetëm sa përhapej. Mirëpo, sot në 25 vitet e fundit ka ndodhur dënimi i dytë për kurdisje në futbollin e Kosovës.

Në fakt, ende nuk kemi dënime. Ato pritet të shqiptohen pas një procedure normative nga Federata e Futbollit e Kosovës. Por, kjo e fundit sot për herë të dytë e konfirmoi një ndeshje të kurdisur.

Bëhet fjalë për takimin e Ligës së Parë ndërmjet Ulpianës dhe Vllaznisë së Pozheranit, e cila u mbyll me rezultat 3:4 për ekipin nga Pozherani.

Por sot, Komisioni i Garave konfirmoi se ndeshja ka qenë e kurdisur, duke e zhvlerësuar rezultatin dhe golaverazhin, e po ashtu duke hapur procedurë disiplinore ndaj të dyja klubeve, zyrtarëve të tyre dhe disa futbollistëve.

Pra, ky është vetëm rasti i dytë prej dhjetra e dhjetra ndeshjeve që FFK-ja e “godet” këtë fenomen.

Rasti i parë ishte pikërisht para 14 vjetësh në vitin 2010 kur FFK-ja e dënoi një kurdisje. Edhe në atë ndeshje të para 14 viteve, një nga dy protagonistët ishte Ulpiana. Ndeshja e saj me Fushë Kosoën ishte e kurdisur, por dënimin e madh e kishte vuajtur Fushë Kosova. FFK-ja e kishte vendosur një rang më poshtë ekipin e Fushë Kosovës, një dënim më të rëndë për atë skandal, ndërsa kishte shqiptuar edhe dënime me procedura tjera disiplinore në lidhje me atë ndeshje. Krejt ajo kishte ndodhur pasi disa lojtarë dhe trajnerë të Fushë Kosovës kishin shkuar në FFK fizikisht dhe e kishin denoncuar kurdisjen, duke u ankuar se mbi bazën e kërcënimeve nga udhëheqësia e klubit, ata ishin detyruar t’ia lëshojnë lojën Ulpianës.

Kur jemi te Ulpiana, ky klub disa herë edhe viteve të fundit, por edhe në këtë kampionat ka qenë e dyshimtë, mbi bazën e fair-playt, madje ka pasur raste kur dy ndeshjet e saj ndaj ekipeve tjera, sivjet ndaj Ferizajt e pak vite më herët ndaj Ballkanit kanë qenë të dyshuara, duke u mbyllur me rezultat zyrtar. Ndërsa, sezonin e kaluar, Ulpiana e kishte humbur në tavolinë ndeshjen vendimtare për t’u inkuadruar në Superligë ndaj Fushë Kosovës, ndonëse kishte fituar në fushë.


(Kosova Sot Online)