Trepça dënohet dhe gjobitet, suspendohet për dy vjet hendbollisti Vaglir Buçinca

  • S.A /
  • 17 April 2024 - 10:17
Trepça dënohet dhe gjobitet, suspendohet për dy vjet hendbollisti Vaglir Buçinca

Komisioni i Garave ka marrë vendime për incidentin që ndodhi në Mitrovicë javën e kaluar, ku u sulmuan fizikisht gjyqtarët në ndeshjen e hendbollit elitar mes Trepçës dhe Besa Famgasm transmeton "Kosova sot Online ".

Ky Komision, pasi e shqyrtoi raportin e ndeshjes dhe duke u mbështetur në fletëparaqitjen e personave zyrtarë dhe incizimin e ndeshjes Trepça – Besa Famgas, e zhvilluar më 13 prill, duke u mbështetur në nenin 32 të Rregullores Disiplinore të FHK-së mori vendim:

“KH Trepça dënohet me 500 euro gjobë dhe 2 ndeshje si vendës jashtë terrenit të saj pa prezencën e publikut dhe 2 ndeshje pa prezencën e publikut që do t’i zhvillojë si vendëse.”

Në arsyetimin e FHK-së thuhet se ky vendim u mor pasi pas përfundimit të ndeshjes, disa persona të paautorizuar hynë në terren, ku dy prej tyre i sulmuan fizikisht gjyqtarët e ndeshjes Jahja – Xhema, të cilët më pas morën trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë.

Gjithashtu, klubi mitrovicas u dënua edhe me 200 euro të tjerë gjobë sipas nenit 6.8, 6.8.2 dhe 11.15 të Propozicionit të garave.

“Komisioni i Garave pasi e shqyrtoi fletëparaqitjen e personave zyrtarë të ndeshjes, konstatoi se skuadra vendëse KH Trepça nuk siguroi kushte optimale për sigurinë e ndeshjes, ku nuk kishte fare pjesëtarë të Policisë së Kosovës meqë rasti sulm fizik në personat zyrtarë ndodhi nga shikuesit pasi përfundoi ndeshja”, njofton tutje ky Komision.

Gjithashtu, KH Trepça u dënua me gjobë 100 euro sipas nenit 11.8 të Propozicionit të Garave pasi pati hedhje të gjësendeve nga tribuna vendëse e KH Trepça në terren, andaj Komisari i Garave e mori vendimin si në dispozitiv.

KH Trepça nuk ka të drejt loje deri në përmbushjen apo pagesën e gjobave të shqiptuara.

E hendbollistit të klubit mitrovicas, Vaglir Buçinca i kushtoi rëndë gjesti josportiv që e bëri në ndeshjen derbi të Superligës së hendbollit.

Hendbollisti i Trepçës u dënua me dy vjet moslojë dhe 200 euro gjobë duke u mbështetur në nenin 49 të Rregullores Disiplinore të FHK-së.

Në arsyetimin e Komisionit thuhet se “në minutën 50:03 të ndeshjes, pati reagim nga bankina e KH Trepça në vendimin e gjyqtarëve, ku gjyqtarët e sanksionojnë me vërejtje trajnerin e KH Trepça, Taib Kabashi, ku më pas reagon lojtari i KH Trepça, Vaglir Buçinca, i cili e ofendon vëzhguesin e ndeshjes, ku më pas vëzhguesi e fton gjyqtarin ta ndëshkojë me karton të kuq për sjellje josportive. Pas ndëshkimit me karton të kuq, lojtari Vaglir Buçinca e sulmon fizikisht gjyqtarin e ndeshjes, i cili më pas e ndëshkon me karton të kaltër. I njëjti lojtar pas përfundimit të ndeshjes përfshihet në organizimin e sulmit fizik të gjyqtarëve. I njëjti lojtar është recidivist. Vaglir Buçinca nuk ka të drejt loje deri në përmbushjen e gjobës.

(Kosova Sot Online )