
Bayerni dhe Real Madridi në garë për transferimin e Wirtzit

Bayern Munichi raportohet se është i gatshëm të sfidojë Real Madridin për Florian Wirtzin.
Ylli i ri gjerman padyshim se është prej futbollistëve më të mirë të këtij sezoni në Bundesligë, si dhe te Bayer Leverkuseni gjithashtu.
E ardhmja e Wirtzit vlerësohet se është ende në ajër, pavarësisht se ai ndjehet i lumtur te kampionët e Gjermanisë, veçanërisht gjatë këtij sezoni historik.
Bayerni ka monitoruar zhvillimin e tij në Leverkusen për disa vite dhe së fundmi presidenti i nderit i këtij klubi, Uli Hoeneß, tha se transferimi i 21-vjeçarit ishte sigurisht një mundësi.
Gjatë një paneli diskutimi me “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Hoeneß tha se “Bayerni mund të shpenzojë 100 milionë euro për një Harry Kane një herë, ndoshta përsëri për një lojtar gjerman, por jo katër ose pesë herë”.
Përveç kësaj, duke folur për “Bild”, drejtori sportiv i “Bavarezëve”, Max Eberl, u shpreh: “Nëse një lojtar i këtij kalibri si Florian Wirtz apo Harry Kane është i disponueshëm në treg, atëherë ne duhet ta marrim parasysh këtë”.
Por, edhe Real Madridi është i interesuar për reprezentuesin e Gjermanisë. Gjiganti spanjoll thuhet se synon të nënshkruajë me të në vitin 2025, pasi e vlerëson si zëvendësues ideal të Toni Kroosit.
Florian Wirtz me Bayer Leverkusenin ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2027.
Bazuar në “Transfermarkt”, ai tani për tani në tregun e transferimeve vlerësohet me 110 milionë euro.
(Kosova Sot Online)