Shqipëria gati për Europianin e Minifutbollit, zbardhet lista e lojtarëve

  • S.A /
  • 17 May 2024 - 15:50
Shqipëria gati për Europianin e Minifutbollit, zbardhet lista e lojtarëve

Kombëtarja shqiptare e minifutbollit prej dhjetë ditësh vijon përgatitjen për Kampionatin Europian 2024, kompeticion zyrtar i këtij sporti, event që do të mbahet nga data 1 deri më 8 qershor në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës, transmeton "Kosova Sot Online ".

Shqipëria siç dihet bën pjesën në Grupin A, bashkë me vendësit e Bosnjë-Hercegovinës, me Slloveninë dhe Malin e Zi. 

Një grup tërësisht ballkanas, ndërsa duhet theksuar se të gjithë kundërshtarët kanë eksperiencë më të madhe në arenën ndërkombëtare, duke mbërritur madje deri në finale (Mali i Zi dhe Sllovenia) apo në vend të tretë (BosnjëHercegovina).

Për Shqipërinë kjo do të jetë pjesëmarrja e tretë në një Europian, pas “Ukrainë 2018” dhe “Sllovaki 2022”.

Nën drejtimin e trajnerit Mandrit Dulo, kuqezinjtë po stërviten rregullisht në Tiranën në mënyrë që të mbërrijnë në gjendjen e tyre më të mirë në këtë kompeticion.

Së fundmi është publikuar edhe lista me lojtarët dhe stafin që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Sarajevë.

Si gjithnjë thuajse i gjithë boshti i përfaqësues i përket ekipit Prestige, që është edhe skuadra lider e minifutbollit në Shqipëri. Një ekip që ka ndikuar jo pak në rritjen ehe zhvillimin e këtij sporti, për t’u marrë si model nga shumë skuadra të tjera.

Janë 11 lojtarë të cilët do të përfaqësojnë Kombëtaren në Europian, ndërsa për 9 prej tyre kjo do të jetë eksperienca e parë në një eveniment të tillë.

Kapiteni i skuadrës, Fatmir Hysenbelliu, me dy pjesëmarrje, dhe portieri Dashnor Cara i pranishëm para dy vitesh në Sllovaki, janë të vetmit lojtarë të Shqipërisë me eksperiencë në Europiane.

Në Kampionatin Europian do të marrin pjesë 24 skuadra të ndara në 6 grupe, ndërsa vendet e para, të dyta dhe katër të tretat më të mira do të kualifikohen në fazën me eliminim direkt.

Për sa i përket kalendarit të Shqipërisë, përfaqësuesja kuqezi do ta bëjë debutimin më 1 qershor përballë vendësve të Bosnjë-Hercegovinës, takim që do të luhet në orën 20:00.

Më pas në 2 qershor në orën 22:00 skuadra e Dulos do të sfidojë Malin e Zi, për ta mbyllur fazën e grupeve më 4 qershor kundër Sllovenisë, sfidë që do të luhet në orën 10:00.

Image

(Kosova Sot Online )