
Real Madridi refuzon ofertën tunduese për Rodrygon

Sulmuesi brazilian i Real Madridit, Rodrygo Goes edhe publikisht e ka mirëpritur disa herë transferimin e Kylian Mbappes në Real Madrid.
Mirëpo, edhe pse ai duket i lumtur në Real Madrid, shumëkush mendon se ai do të jetë ‘viktima’ e ardhjes së Mbappes.
Braziliani edhe një herë shfaqi se është i lumtur tek klubi madrilen, pasi më parë në një intervistë kishte thënë se “gjithçka mund të ndodhë”.
Interesimi për të nuk mungon, me Manchester Cityn e Liverpoolin që e kanë në ‘radar’.
Por një ofertë të këtyre të fundit, “Los Blancos” e kanë hedhur poshtë.
Sipas informacioneve të dhëna nga “El Chiringuito”, Liverpooli i ofroi Real Madridit 120 milionë euro për Rodrygon, ofertë kjo që as nuk u mor parasysh.
Disa gazeta të tjera spanjolle, si “Sport” e “Defensa Central” shtojnë se Real Madridi do ta shesë Rodrygon për vetëm mbi 150 milionë euro.
Megjithatë, Rodrygo duket i gatshëm të luftojë për vendin e tij në formacionin startues, dhe thuhet se ai së bashku me Realin do të ‘dëgjojnë’ për ofertat, vetëm pas përfundimit të sezonit të ardhshëm.
(Kosova Sot Online)