Dardanët do të ushtrojnë sot në 'Fadil Vokrri'
Kombëtarja e Kosovës do t’i vazhdojë sot përgatitjet për ndeshjet e shtatorit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Për dallim nga dy ditët paraprake, kur ushtruan në kampin nacional në Hajvali, Dardanët sot do të zhvendosen në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do ta zhvillojnë seancën e radhës stërvitore.
Federata e Futbollit të Kosovës njofton se stërvitja e sotme e Verdhekaltërve do të nisë në orën 11:00, shkruan “Gazeta Express”.
Trupa e trajnerit Franco Foda do të ushtrojë edhe nesër, ndërsa pasnesër, më saktësisht të premten, më 6 shtator, do ta nisë kampanjën e re në Ligën e Kombeve.
Vedat Muriqi me shokë do ta presin Rumaninë në “Fadil Vokrri”, në ndeshjen që do të nisë në orën 20:45, ndërsa më pas, tri ditë më vonë, do ta vizitojnë Qipron.
Kosova synon ta nisë me këmbë të mbarë eksperiencën e re në Ligën e Kombeve, ku objektiv e ka që ta mbyllë si lidere grupin.
(Kosova Sot Online)