Sylvinho shpjegon listën e lojtarëve të ftuar

  • A.P /
  • 04 September 2024 - 11:09
Sylvinho shpjegon listën e lojtarëve të ftuar

Kombëtarja shqiptare, do të luajë dy ndeshje në shtator ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë, të vlefshme për UEFA Nations League.

Përgatitjet për dy ndeshjet e para në Grupin B1 do të nisin sot më 2 shtator, teksa trajneri Sylvinho ka dalë në konferencë për shtyp, duke shpjeguar para mediave listën me 24 lojtarë të grumbulluar.

Përsa i përket portës janë Thomas Strakosha, Alen Sherri dhe Simon Simoni. Në mbrojtje rikthehet futbollisti i Partizanit, Andi Hadroj.

Emrat e tjerë që përbëjnë repartin e prapavijës janë Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli dhe Enea Mihaj.

Në repartin e mesfushës dhe të sulmit ka dy risi. Trajneri Sylvinho, ka vendosur të thërrasë për herë të parë në Kombëtaren A mesfushorin Sebastjan Spahiun dhe sulmuesin Agim Zeka.

Të dy futbollistët, më parë kanë qenë pjesë e Shqipërisë U-21. Spahiu aktivizohet në Iran me skuadrën e Mes Rafsanjan, ndërsa Zeka në kampionatin “Abissnet Superiore” me Partizanin.

Pjesa tjetër e lojtarëve që përbëjnë repartin e mesfushës dhe të sulmit janë Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Jasir Asani, Rey Manaj, Armando Broja dhe Taulant Seferi.

Grumbullimi i lojtarëve nisi që të dielën në Tiranë me futbollistët që do të përfundojnë më herët impenjimet me skuadrat e tyre, ndërsa grupi i lojtarëve pritet të jetë i plotë sot më 2 shtator.

Seancat stërvitore do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa të premten kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Çekisë, aty ky më 7 shtator do të luhet ndeshja e parë në Grupin B1 të Nations League ndaj Ukrainës, në stadiumin “Epet Arena”, në orën 20:45.

Tre ditë më pas më 10 shtator, Kombëtarja shqiptare do të luajë ndaj Gjeorgjisë në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.

(Kosova Sot Online)