Ankohet Sylvinho: Çekia festoi si të fitonte ndaj Brazilit
Çekia ishte më e motivuar se Shqipëria për të fituar ndeshjen, dhe kështu ndodhi duke shënuar 2 gola.
Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Kombëtares, Sylvinho tha se çekët bënë një ndeshje më të mirë dhe kanë luajtur fort në lojën në ajër.
“Para së gjithash pashë një Çeki shumë të motivuar. Çekia ka luajtur mirë, sulmuesi i tyre ka bërë një ndeshje shumë të mirë, ka luajtur në ajër si ekip, ishin shumë të motivuar për ta fituar këtë vit me ne. Ishin shumë më të motivuar për të fituar. Ata na shikojnë si ekip i fortë, e vura re si festonin sikur kishin mundur Brazilin”.
Sa i përket pësimit të golit të dytë, Sylvinho u shpreh se një pësim i tillë nuk i pëlqen askujt, madje i kishte paralajmëruar kuqezinjtë që të bënin kujdes.
Megjithatë, trajneri i Kombëtares nuk i humbet shpresat, pasi gara është akoma e hapur.
“Të çmend pësimi i një goli. Në pushimin mes dy pjesëve ju thashë lojtarëve që ata bëjnë tranzicion të shpejtë dhe mund të pësojmë 2 ose 3 gola. Duhet të shohim përpara për ndeshjen tjetër. Çdo gjë është akoma e hapur duke qenë se nuk ka diferencë të madhe pikësh. Ne kemi lojtarë të mirë”.
Shqipëria u mund 2 me 0 në Çeki në sfidën për Ligën e Kombeve dhe renditet në vend të tretë.
(Kosova Sot Online)