Llapi e fiton një pikë në fund ndaj Feronikelit 74, Dukagjini barazon me Suharekën
Llapi ka arritur një pikë në fundin e ndeshjes ndaj Feronikelit 74.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” u mbyll me rezultat të barabartë 2:2.
Mysafirët patën epërsinë e dy golave, por që Llapi arriti të rikthehej dhe të arrinte një pikë në fund.
Fillimisht Ardit Tahiri ngushtoi rezultatin në minutën e 81-të, kurse Blakçori shënoi në minutën e tetë shtësë.
Me këtë barazim, Llapi tani shkon në kuotën e 15 pikëve në vendin e gjashtë, kurse Feronikeli 74 vazhdon të jetë i fundit me tri pikë gjithsej.
Me rezultat identik u mbyll edhe dueli tjetër mes Dukagjinit dhe Suharekës.
Suharekasit ishin në epërsi në dy raste, por Dukagjini arriti dy herë të barazonte rezultatin nëpërmjet Hekuran Berishës.
Me këtë barazim, Suhareka tani ka 17 pikë në vendin e tretë, kurse Dukagjini mbetet i parafundit me 11 sosh.
(Kosova Sot Online)