Amorim e shijon rivalitetin United – City
Ruben Amorim do të marrë detyrën te Manchester United më 11 nëntor, derisa sonte do të ketë lamtumirën në “Estadio Jose Alvalade”, ku ekipi i tij, Sporting Lisbon do t’i bëj konak Manchester Cityt.
Tifozët e Manchester United do të shohin trajnerin e tyrë të ardhshëm teksa sfidohet nga Pep Guardiola – gjeniu prapa suksesit të rivalëve të tyre lokal.
“Nëse rezultati është negativ, atëherë pritshmëritë për mua do të bien, dhe mendoj se kështu është keq të ia nisësh në Manchester United”, ka thënë Amorim në konferencën e djeshme për shtyp.
“Nëse fitojmë, atëherë do të mendojnë se jam Sir Alex Ferguson, gjë që është e vështirë ta mbash këtë epitet”, ka shtuar më tutje trajneri portugez, duke qeshur.
Vizita e Cityt sonte në Lisbonë është një nga ndeshjet më të barabarta në këtë xhiro.
City vjen nga një humbje në Premier League, e para këtë sezon, teksa paraprakisht ishte mposhtur nga Tottenhami në Carabao Cup.
Ndërkohë, Sportingu i Amorim po tregohet i frikshëm në Portugali, duke fituar të gjitha 10 ndeshjet e para në elitë.
Dy ekipet e nisin ndeshjen e sontme në Top 8-she, derisa ende s’kanë pësuar humbje në Europë këtë sezon.
Kampioni anglez e ka mposhtur Slovan Bratislavan dhe Sparta Pragën, pas barazimit pa gola me Interin, ndërsa Sportingu e ka mposhtur Lillen dhe Sturm Graz, teksa ka barazuar me PSV-në.
Top tetë ekipet kalojnë direkt në 16 ekipet më të mira të Ligës së Kampionëve. 16 ekipet tjera luajnë një play-off për t’iu bashkuar këtij grupi, teksa 12 ekipet tjera eliminohen nga gara.
Me vendimin për t’iu bashkuar Unitedit, Amorim bie në Ligën e Europës, por do të ketë punë prapë me Pep Guardiolën këtë sezon, të paktën edhe dy herë.
(Kosova Sot Online)