Arteta tregon sa serioz është lëndimi i Kai Havertz
Kai Havertz u lëndua në kokë, derisa pati edhe gjakderdhje, lëndim që ai e pësoi gjatë humbjes së Arsenalit mbrëmë kundër Interit
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka dhënë një përditësim mbi gjendjen e Kai Havertz pas një dëmtimi të rëndë në kokë që pësoi ndaj Interit.
Gjatë minutave të fundit të humbjes 1-0 të Arsenalit në Champions League në San Siro, Havertz u përplas me bashkëkombasin e tij, Yann Bisseck. Të dy kishin sytë nga topi në një duel në ajër, por mbetën të shtrirë në fushë po në këtë rast Havertz pësoi lëndim më të rëndë.
Havertz nuk ishte në gjendje të vazhdonte, pasi duhej të zëvendësohej me gjak që i rridhte nga një plagë në kokë. Pas ndeshjes Arteta u pyet nëse Havertz do të jetë për një periudhë më të gjatë jashtë fushës shkaku i këtij lëndimi.
“Kai Havertz ka një çarje të madhe dhe shpresojmë që të jetë në rregull për ndeshjen kundër Chelsea në fundjavë”, tha Arteta gjatë konferencës për shtyp.
Arsenali pa gjithashtu që blerja e verës, Mikel Merino, pësoi një goditje në kokë, pasi u përplas me portierin e Interit, Yann Sommer, i cili po ashtu u zëvendësua.
“Jo, nuk ishte i tronditur nga goditja, por dje nuk ndjehej mirë dhe vendosa ta largoj pasi kisha nevojë për të që të jetë në 100%-in e tij”, shtoi Arteta.
Arsenali, që ka fituar vetëm dy nga gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet dhe ka pësuar dy humbje radhazi 1-0 ndaj Newcastle dhe Interit, do të rikthehet në aksion në Premier League të dielën, kur do të përballet me rivalët londinezë, Chelsea.
(Kosova Sot Online)