Silvinjo thërret emra të rinjtë për ndeshjet kundër Çekisë dhe Ukrainës
Për shkak të dëmtimeve që do t’i mbajnë jashtë Kombëtares, Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla dhe Kejdi Bare nuk do të jenë të gatshëm për ndeshjet e ardhshme të Shqipërisë kundër Çekisë dhe Ukrainës, që do të luhen në kuadër të kualifikuesve për Euro 2024, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Në këtë situatë, trajneri i Kombëtares, Silvinjo, ka vepruar menjëherë për të plotësuar vendet e lëna bosh. Ajo që bie në sy është rikthimi i Arbnor Mujës, i cili mungonte prej më shumë se një viti. Ky rikthim është një lajm i mirë për skuadrën dhe tifozët, pasi Muje ka qenë një element i rëndësishëm në kombëtaren shqiptare.
Për të zëvendësuar dy mbrojtësit e lënduar, Kumbullën dhe Gjimshitin, trajneri ka thirrur dy lojtarë të rinj, Adrian Bajramin dhe Jon Mersinajn, të cilët do të kenë mundësinë të provojnë veten në nivele ndërkombëtare.
Me këto thirrje, Silvinjo ka shtuar tre emra të rinj në listën e Kombëtares për ndeshjet e nëntorit, duke kërkuar të forcojë skuadrën dhe t’i japë mundësi lojtarëve të rinj për të treguar vlerat e tyre në fushë.
(Kosova Sot Online)