Mancini: Largimi nga kombëtarja e Italisë ishte një gabim
Roberto Mancini ka pranuar se vendimi për të dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të kombëtares së Italisë ishte një gabim ndërsa ka reflektuar mbi pendesat më të mëdha me Azzurrët në një intervistë të publikuar në 60-vjetorin e tij të lindjes.
Mancini, i cili feston ditëlindjen e tij të 60-të këtë të mërkurë, dha një intervistë të gjatë për Il Giornale, ku foli për karrierën e tij si lojtar, hapat drejt menaxhimit dhe përvojën e tij në Serie A dhe me kombëtaren italiane.
Trajneri fitues i EURO 2020 dha dorëheqjen nga posti i tij në verën e vitit 2023 dhe u zëvendësua nga Luciano Spalletti.
Pas largimit nga Italia, Mancini mori drejtimin e kombëtares së Arabisë Saudite, por arriti një marrëveshje të përbashkët për të ndërprerë kontratën në fund të tetorit 2024.
“Largimi nga kombëtarja e Italisë ishte një gabim dhe një që nuk do ta bëja më kurrë,” tha Mancini gjatë reflektimit për kohën e tij me Azzurrët në intervistën për Il Giornale.
Trajneri 60-vjeçar, i cili thuhet se kishte një kontratë fitimprurëse në Arabinë Saudite, pretendon se paga e tij nuk ishte aq e lartë sa raportuan mediat dhe shton se paratë ishin vetëm një faktor i vogël në vendimin për t’u larguar nga stoli i kombëtares.
“Nuk e mohoj që, për një trajner, një ofertë e një shume kaq të madhe, edhe pse më e ulët se sa u raportua në gazetat, të vë në një situatë të vështirë. Por nuk ishte vendimtare. Patjetër që pati ndikim, por nuk ishte vetëm për këtë arsye që u largova nga kombëtarja”, u shpreh Mancini.
(Kosova Sot Online)