Real Madridi ia konfirmon Liverpoolit interesimin për Arnold

  • A.P /
  • 30 November 2024 - 10:06
Real Madridi ia konfirmon Liverpoolit interesimin për Arnold

Real Madrid i ka informuar Liverpool-in për dëshirën e tyre për të nënshkruar me Trent Alexander-Arnold, raporton talkSPORT.

Gjigantët spanjollë nuk janë të detyruar të shprehin interes për Alexander-Arnold, pasi ai mund të nënshkruajë një marrëveshje paraprake me një klub jashtë Anglisë në janar.

Megjithatë, burime pranë kampionëve të Europës thonë se ata duan të tregohen të respektueshëm ndaj homologëve të tyre nga Merseyside.

Liverpool shpreson ende ta bindë mbrojtësin e Anglisë, Alexander-Arnold, që të nënshkruajë një kontratë të re në Anfield.

Kontrata e tij, së bashku me atë të kapitenit Virgil van Dijk dhe Mohamed Salah, do të përfundojë verën e ardhshme.

Kjo ka nxitur një mori spekulimesh për marrëveshje të reja dhe transferime të mundshme për të tre lojtarët.

Alexander-Arnold prej kohësh është lidhur me një kalim te Real Madrid.

Los Blancos aktualisht po luajnë pa mbrojtësin e tyre të zakonshëm të djathtë, Dani Carvajal, i cili ka fituar gjashtë herë Ligën e Kampionëve.

Carvajal pësoi një dëmtim të ligamentit të kryqëzuar në tetor, dhe kjo duket se ka përshpejtuar planin e pasardhësit për 32-vjeçarin.

Lidhjet me Alexander-Arnold janë forcuar gjithashtu, pasi ylli i Anglisë ka një miqësi të ngushtë me superyllin e Real Madridit, Jude Bellingham.

(Kosova Sot Online)