Slot thyen heshtjen për lidhjet e transferimit të Khvicha Kvaratskhelia
Trajneri i Liverpool, Arne Slot, ka adresuar thashethemet se klubi i tij po konsideron një lëvizje për Khvicha Kvaratskhelia gjatë merkatos së janarit.
Të enjten mbrëma u raportua se Liverpool po monitoron situatën e sulmuesit gjeorgjian te Napoli, mes pretendimeve se lojtari po kërkon të largohet nga klubi këtë muaj.
Paris Saint-Germain thuhet se janë favoritë për të siguruar shërbimet e Kvaratskhelias, pasi janë në kontakte të drejtpërdrejta me Napolin. Megjithatë, Liverpool mund të përpiqet të ndërhyjë nëse shohin një mundësi reale për ta realizuar transferimin.
Duke folur përpara ndeshjes së Liverpool-it kundër Accrington Stanley në raundin e tretë të FA Cup të shtunën, Slot u pyet nëse thashethemet për interesin e Liverpool-it ndaj sulmuesit të Napolit ishin të vërteta.
“99 herë nga 100 në fund të merkatos bëhet e qartë se pothuajse të gjitha këto histori nuk janë të vërteta. Por, nuk kam asnjë koment nga ana ime,” tha ai.
Lajmet për transferimin e mundshëm u zbuluan fillimisht nga David Ornstein i “The Athletic”, i cili konfirmoi se Liverpool, përveç PSG dhe Chelsea, po konsideronin të lëviznin për Kvaratskhelia nëse ai largohet nga Napoli gjatë kësaj merkatoje.
“Liverpool mund të konsiderojë një lëvizje për të nënshkruar me Khvicha Kvaratskhelia nëse largohet nga Napoli në janar. LFC nuk po kërkon aktivisht një anësor, por e admirojnë 23-vjeçarin dhe mund të përfshihen nëse paraqitet një mundësi në treg. PSG dhe CFC gjithashtu janë të interesuar”, shkroi ai.
Sipas ekspertit të transferimeve, Fabrizio Romano, Kvaratskhelia është i hapur për t’u larguar nga Napoli këtë muaj. Aktualisht, një marrëveshje midis Napolit dhe PSG-së përfshin një tarifë transferimi prej rreth 80 milionë euro (66.97 milionë paund).
23-vjeçari është nën kontratë me Napolin deri në qershor 2027, gjë që i jep klubit italian avantazhin për të negociuar një marrëveshje të favorshme pa presion.
Që kur iu bashkua Napolit në vitin 2022 nga klubi Dinamo Batumi, Kvaratskhelia ka shënuar 30 gola dhe ka dhënë 29 asistime në 107 paraqitje. Në sezonin aktual 2024/25, ai ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë tre asistime në 19 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
(Kosova Sot Online)