
Boateng e zbulon mësimin që e mori nga Pirlo

Kevin-Prince Boateng e pati fatin të luante me yje të klasit botëror, ndonëse karriera e tij pati luhatje.
Natyrisht, periudhën më të mirë dhe më të suksesshme ish-përfaqësuesi ganez e kishte kaluar tek Milani, me të cilin ishte shpallur edhe kampion i Italisë.
Ai ishte i zhurmshëm dhe mjaft hiperaktiv.
Por, zhurma jo gjithmonë i ka sjell dobi.
Madje, ish-futbollisti ofanziv tregon se kishte mësuar nga “gjeniu” Andrea Pirlo se s’duhet ta kërkonte topin me zë nga bashkëlojtarët pasi do të vihej re nga kundërshtarët, të cilët do ta neutralizonin dhe bllokonin.
Boateng e ka treguar një histori me ish-futbollistin italian, i cili ia kishte dhënë një këshillë të dobishme.
“Kur shkova në Milan, isha i mësuar ta përdorja më shumë stilin e futbollit anglez. Sa herë që isha i lirë dhe në pozitë të mirë, bërtisja në drejtim të bashkëlojtarit për të ma pasuar topin.”
“Pas një seance stërvitore, Pirlo erdhi tek unë, i shoqëruar nga një tjetër bashkëlojtar që fliste anglisht.”
“Ai më tha që të mos bërtisja kur isha i lirë, sepse kundërshtari do të më vërente. Ai më tha që, nëse unë do të isha në pozicion të mirë, ai do të më shihte tashmë dhe se do të ma pasonte topin!”
“Ai kishte të drejt, unë kurrë nuk kërkova më nga Pirlo të ma pasonte topin, por ai gjithmonë ma dhuronte atë në kohën perfekte!”
(Kosova Sot Online)