
Arteta: Arsenali po kërkon një sulmues

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka folur mbi një sërë temash në konferencën e tij të fundit për shtyp para ndeshjes së së shtunës kundër Aston Villës.
Arteta u pyet fillimisht për zhvillimet e fundit lidhur me shpresat e klubit për të nënshkruar me një sulmues, pasi Gabriel Jesus pësoi një dëmtim të ligamentit të gjurit gjatë humbjes në Kupën FA kundër Manchester United.
“Momentalisht nuk i kemi zgjidhjet, por po përpiqemi t’i gjejmë,” tha ai.
“Do të shohim se çfarë mund të bëjmë. Jemi gjithmonë aktivë dhe po e zhvillojmë ekipin.”
Mbrojtësi Riccardo Calafiori mund të kthehet për ndeshjen e së shtunës, dhe Arteta zbuloi se gjithçka varet nga stafi mjekësor.
“Ka disa vendime për të marrë me stafin mjekësor këtë pasdite, nëse ai mund të luajë në këtë ndeshje apo në atë pasuesen.”
Spanjolli gjithashtu u përgjigj për komentet e tij se ekipi i tij ka qenë më i miri në ligë gjatë disa sezoneve të fundit.
“Nëse i referohemi statistikave, ato thonë që ne ishim ekipi më i mirë në ligë, por realiteti është që nuk e fituam kampionatin, kështu që ende duhet të përmirësohemi dhe të bëhemi më të mirë.
“Ne po luajmë për të fituar dhe pikërisht aty duam të jemi. Presioni vjen nga brenda. Duhet të përpiqesh të jesh më i miri që mundesh.”
Arteta foli për fitoren ndaj rivalëve të veriut të Londrës, Tottenham, me rezultatin 2-1 dhe se si po e pret ndeshjen kundër Aston Villës këtë fundjavë, në një garë titulli që deri tani është tepër e fortë.
“E kam dashur qëndrimin me të cilin ekipi luajti, një rast i shkëlqyer përpara tifozëve tanë, atmosfera ishte e mrekullueshme, por tani shkojmë te ndeshja tjetër, e cila është shumë e rëndësishme.
“Do të përpiqemi maksimalisht të përgatitemi në mënyrën më të mirë për të fituar. E dimë vështirësinë e ekipit që ata kanë, prandaj po performojnë kaq mirë. Lojtarë të shkëlqyer dhe një trajner i shkëlqyer.”
(Kosova Sot Online)