
Tre lojtarë pa kontratë që mund të firmosin për United

Manchester United mund të shtojë ende lojtarë në ekipin e tyre nëse kanë nevojë për përforcime.
Pavarësisht se merkatoja e janarit u mbyll në orën 23:00 të hënën, klubet e Premier League nuk mund të bëjnë më transferime apo huazime deri në qershor, kur hapet merkatoja e re.
United ishte mjaft i qetë në treg gjatë janarit, duke nënshkruar vetëm me mbrojtësin Patrick Dorgu dhe talentin Ayden Heaven. Megjithatë, Ruben Amorim mund të forcojë ekipin e tij në çdo kohë përmes tregut të lojtarëve pa kontratë, për sa kohë që ka hapësirë në listën e regjistruar të skuadrës.
Duke marrë parasysh largimet me huazim të Marcus Rashford, Antony dhe Tyrell Malacia, ka mundësi që United të ketë vende të lira për të regjistruar lojtarë të rinj. Më poshtë janë tre opsione të mundshme për ‘Djajtë e Kuq’.
1. Diego Costa
Gjatë merkatos së janarit, u raportua se Amorim dëshironte me ngulm një sulmues të ri, pasi Rasmus Hojlund dhe Joshua Zirkzee nuk kanë bindur plotësisht.
Ndërsa tifozët e United mund të ëndërrojnë për emra si Viktor Gyokeres apo Benjamin Sesko, një alternativë e lirë mund të jetë ish-legjenda e Premier League, Diego Costa.
Costa, i cili ishte pjesë e Wolves deri në gusht 2023, ka luajtur dy vite në Brazil, por aktualisht është pa klub. 36-vjeçari mund të sjellë eksperiencë dhe agresivitet në sulmin e United, duke pasur parasysh se ka shënuar 56 gola në Premier League gjatë karrierës së tij.
2. Sergio Ramos
Një tjetër emër i madh që është i disponueshëm është legjenda e Real Madrid dhe PSG, Sergio Ramos.
38-vjeçari u rikthye te Sevilla si lojtar i lirë në shtator 2023, por u largua pas vetëm një sezoni. Ai është lidhur me një transferim në Meksikë te Rayados de Monterrey, ndërsa edhe klubi brazilian Santos i ka ofruar një kontratë njëvjeçare me një pagë prej 4 milionë eurosh.
United ka qenë i interesuar për Ramos në të kaluarën dhe, nëse duan të sigurojnë shërbimet e tij, duhet të veprojnë shpejt. Me eksperiencën dhe lidershipin e tij, ai mund të ishte një shtesë e vlefshme në mbrojtje, sidomos duke parë problemet e vazhdueshme me lëndimet në prapavijën e ‘Djajve të Kuq’.
3. Brandon Williams
Pas konfirmimit se Luke Shaw ka pësuar një tjetër dëmtim, United mund të ketë nevojë për një zëvendësues në krahun e majtë të mbrojtjes.
Me Tyrell Malacia të huazuar te PSV Eindhoven, një opsion logjik mund të ishte rikthimi i Brandon Williams, i cili aktualisht është i lirë. 24-vjeçari nuk ka gjetur hapësira të rregullta as te Norwich City dhe as te Ipswich Town gjatë periudhës së huazimit, por ai e njeh klubin dhe nuk do të kishte nevojë për kohë përshtatjeje.
Williams ka pranuar më parë se ëndrra e tij ishte të bëhej kapiten i Manchester United, ndaj nuk do ta kishte të vështirë të pranonte një rikthim, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër.
(Kosova Sot Online)