Zidane pritet të rikthehet në futboll

  • A.P /
  • 15 February 2025 - 13:53
Zidane pritet të rikthehet në futboll

Zinedine Zidane është përfolur për një rikthim të shumëpritur në menaxhimin e futbollit pas gati katër vitesh që ishte jashtë trajnimit

Ish-trajneri i Real Madridit u largua nga “Los Blancos” në fund të sezonit 2020/21, pasi nuk arriti të fitonte një tjetër titull të Ligës së Kampionëve. Që atëherë, Zidane nuk ka marrë asnjë post, pavarësisht se është lidhur me klube si Manchester United, Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich.

Në një moment gjatë sezonit të kaluar, Zidane ishte kandidati kryesor për të zëvendësuar Erik ten Hag te Manchester United, pasi trajneri holandez ndodhej nën presion të madh. Megjithatë, u raportua se mungesa e njohurive të tij në gjuhën angleze mund ta pengonte në këtë rol, ndonëse ish-shoku i tij i skuadrës në Francë, Emmanuel Petit, zbuloi se ai kishte filluar të merrte mësime.

Gjithashtu, Zidane refuzoi mundësinë për të marrë drejtimin e Kombëtares së SHBA-së në vitin 2022.

Por tani ai është përmendur si kandidati kryesor për një post të ri – nga vetë trajneri aktual i ekipit.

Në një intervistë për L’Equipe, selektori i Francës, Didier Deschamps, deklaroi se Zidane është “zgjedhja e natyrshme” për ta pasuar atë në stolin e kombëtares.

Deschamps tashmë ka konfirmuar se do të largohet nga detyra pas Botërorit 2026, kur ka qenë në krye për 14 vite.

“Zizou është një kandidat shumë i mirë, natyral dhe i pritshëm. Por, nuk e di nëse ai do ta dëshirojë këtë detyrë,” tha Deschamps.

Duke folur për të ardhmen e tij, 56-vjeçari nuk e përjashtoi mundësinë e marrjes së një klubi.

“Nuk jam i lodhur apo i rraskapitur, por ndiej se e kam përmbushur ciklin tim. Gjithçka e mirë ka një fund. Kombëtarja franceze ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për mua, pasi përfaqëson 25 vite të jetës sime profesionale, si lojtar dhe trajner”, tha ai.

Ndërkohë, Marca raportoi në dhjetor se Zidane do të ishte i hapur për t’u rikthyer në stolin e një skuadre, por vetëm nëse bëhej fjalë për Francën ose Real Madridin.

Kontrata e trajnerit aktual të Real Madridit, Carlo Ancelotti, skadon në verën e vitit 2026, por favorit për të marrë drejtimin e “Los Blancos” në rast të një largimi të italianit mbetet Xabi Alonso, i cili aktualisht po shkëlqen me Bayer Leverkusen.


(Kosova Sot Online)