
CAS do ta shqyrtojë të hënën ankesën e FFK-së për rastin ndaj Rumanisë

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka njoftuar se të hënën, më 24 mars, do të mbahet seanca dëgjimore për rastin e Kosovës kundër Federatës së Futbollit të Rumanisë dhe UEFA-s lidhur me ndeshjen e diskutueshme të 15 nëntorit në Bukuresht. Ende nuk janë dhënë detaje shtesë mbi procesin, por ekziston mundësia që vendimi të shpallet po atë ditë.
Më herët, Federata rumune kishte apeluar kundër sanksioneve të UEFA-s për sjelljen e tifozëve gjatë asaj ndeshjeje, por CAS-i e refuzoi këtë ankesë, duke konfirmuar se dënimet ishin në përputhje me shkeljet e kryera.
Si rezultat, UEFA e regjistroi ndeshjen me fitoren zyrtare 3:0 për Rumaninë dhe ndëshkoi Federatën rumune me një gjobë prej 128 mijë eurosh dhe detyrimin për të zhvilluar një ndeshje pa tifozë.
Gjatë ndeshjes në Bukuresht, u dëgjuan thirrje “Serbia, Serbia”, gjë që shkaktoi reagimin e lojtarëve të Kosovës, të cilët u larguan nga fusha dhe refuzuan të ktheheshin, pavarësisht thirrjes së gjyqtarit danez Morten Krogh për të vazhduar lojën.
Në dhjetor, Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se kishte dërguar çështjen në CAS, duke sfiduar vendimin e UEFA-s për regjistrimin e rezultatit të ndeshjes. Megjithatë, gjasat për ndryshim të vendimit nuk shihen si të mëdha.
(Kosova Sot Online)