Heroi i Arsenalit: E ndieja se do të shkonim shumë larg

  • A.P /
  • 17 April 2025 - 14:00
Heroi i Arsenalit: E ndieja se do të shkonim shumë larg

Declan Rice ka qenë një hero i vërtetë i Arsenalit në dy ndeshjet çerekfinale me Real Madridin, por mjaft i rëndësishëm edhe në përgjithësi në këtë sezon.

Mesfushori i pandalshëm dhe i palodhshëm anglez i shënoi dy gola në fitoren 3:0 në shtëpi javën e kaluar, ndërsa bëri paraqitje brilante edhe mbrëmë në “Santiago Bernabeu”, në fitoren e “Gunners” me rezultat 2:1, duke u zgjedhur dy herë lojtari i ndeshjes.

Rice e ka shprehur gëzimin e tij pas ndeshjes së mbrëmshme, ndërsa beson se e bëri zgjedhjen e duhur kur vendosi të përfundonte në “Emirates Stadium”.

“Kur nënshkrova me Arsenalin e ndjeva se ishim në një trajektore ngritjeje. Këtu trajneri është i jashtëzakonshëm.”

“Unë e ndiej se ne mund të bëjmë gjëra speciale në vitet e ardhshme me këtë trajner dhe me këtë miks lojtarësh.”

Në gjysmëfinale të Championsit, Arsenali do të përballet me Paris Saint-Germainin.


(Kosova Sot Online)