Mesazhi emocionues i Klopp-it: Jashtëzakonisht i lumtur për të tashmen

  • A.P /
  • 29 April 2025 - 11:05
Mesazhi emocionues i Klopp-it: Jashtëzakonisht i lumtur për të tashmen

Jürgen Klopp ka përshëndetur Liverpoolin për triumfin në Premier League dhe ka uruar një të ardhme të ndritur për ish-klubin e tij, tashmë kampion i Anglisë nën drejtimin e Arne Slot.

"Urime! Jam shumë mirënjohës për të kaluarën, jashtëzakonisht i lumtur për të tashmen dhe shumë pozitiv për të ardhmen."

Në kujtesë rikthehet momenti emocionues i lamtumirës së Klopp, kur ai njoftoi largimin që para përfundimit të sezonit të kaluar dhe në ndeshjen e fundit në Anfield i këndoi një kor Arne Slot-it, pasardhës i tij, duke i uruar mirëseardhje dhe shumë suksese në aventurën me Liverpoolin. Një gjest i ngrohtë që tregoi lidhjen e fortë të Klopp me këtë klub dhe tifozët e tij.

Gjatë festimeve për fitimin e titullit, në sfondin e këngës ikonike "Live Is Life" nga Opus, Arne Slot ia ktheu me të njëjtën dashuri, duke kënduar së bashku me tifozët korin e dedikuar Klopp-it. "Është një ndjesi e mrekullueshme," tha trajneri i ri holandez. "Nuk besoj se mund ta shpreh me fjalë. E vetmja gjë që mund të bëj është të shpreh mirënjohjen time ndaj Jürgen Klopp-it. Puna e bërë nga Jurgen dhe Pep Lijnders, kultura që ndërtuan, ritmi i punës dhe cilësia ishin të jashtëzakonshme. E nisëm sezonin shumë mirë dhe ndoshta ndihmoi edhe fakti që Manchester City pati një moment të vështirë, gjë që nuk i kishte ndodhur prej pesë vitesh."

Liverpooli mbyll kështu një tjetër kapitull të artë në historinë e tij, duke e bërë krenar njeriun që e udhëhoqi drejt lavdisë për më shumë se një dekadë.


(Kosova Sot Online)