
Sane refuzon 100 milionë euro nga sauditët

Rinovimi i Leroy Sane me Bayern Munich ende nuk është përfunduar zyrtarisht, siç ka konfirmuar edhe drejtori sportiv Max Eberl pas fitores 3-0 kundër Mainz, të shtunën.
Megjithatë, mungojnë vetëm disa hapa të vegjël për të arritur marrëveshjen e plotë.
Sipas informacioneve të “Sky Sports DE”, klubi bavarez dhe Sane kanë planifikuar t’i mbyllin negociatat në një ose dy javët e ardhshme,
Pra, firma do ta lidhë lojtarin në fjalë me Bayern Munich deri në vitin 2028.
Janë vetëm disa detaje të vogla për t’u përcaktuar sa i përket strukturës së kontratës, por tashmë nuk ka më dyshime për të ardhmen e tij në Mynih.
Angazhimi i ndërsjellë mes dy palëve është shumë i fortë. Bayerni dëshiron të vazhdojë me Sane, edhe trajneri Vincent Kompany ka ushtruar presion që ai të qëndrojë, raporton televizioni gjerman.
Vetë Sane e ka theksuar shpesh, edhe publikisht, se dëshiron të qëndrojë në Mynih.
Bie në sy refuzimi i tij i fundit ndaj një oferte marramendëse nga Arabia Saudite.
Një ofertë që të bënte të humbisje mendjen. Al-Ittihad (ku luan edhe Karim Benzema) i kishte ofruar Sane një kontratë 4-vjeçare me vlerë 100 milionë euro neto (25 milionë në sezon). Megjithatë, Sane e refuzoi transferimin në Lindjen e Mesme, kryesisht sepse ndjen se cikli i tij te Bayerni nuk ka përfunduar. Ai ndjehet shumë mirë me ekipin dhe në Bavari, teksa qëllimi i tij madhor është të fitojë Ligën e Kampionëve.
Krahasuar me pagën aktuale (rreth 20 milionë euro bruto në vit), Sane do të pranojë një ulje të konsiderueshme të asaj që përfiton me kontratën e re, duke kaluar në rreth 10 milionë euro neto në sezon.
Megjithatë, falë bonuseve, ai mund të arrijë të fitojë 14-16 milionë euro në vit.
Kjo shifër mbetet gjithsesi shumë më e ulët sesa ajo që do të merrte në Arabinë Saudite.
(Kosova Sot Online)