
Shqipëria dështon ta mposht Serbinë në 'Air Albania'

Në një atmosferë të tensionuar dhe me ngarkesë emocionale, Kombëtarja e Shqipërisë dhe ajo e Serbisë ndanë nga një pikë në ndeshjen e vlefshme për Grupin K të kualifikuesve të Kupës së Botës 2026, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Takimi u zhvillua në stadiumin “Air Albania” në Tiranë dhe përfundoi me rezultatin 0-0.
Gjatë tërë ndeshjes, Shqipëria ishte më e mirë se kundërshtari, mirëpo që në fund nuk arriti të marrë më shumë se një pikë.
Shqipëria në pjesën e parë pati disa raste të mira, përmes Mitajt, Laçit e Manajt. Ky i fundit madje e humbi penalltinë në sekondat e fundit të pjesës së parë.
Në fillim të pjesës së dytë, Serbia dha ca shkëndija, me dy raste të mira shënimi, por që nuk kaluan përtej Thomas Strakoshës në portën kuqezi.
Pastaj, tërë lojën e mori në dorë Shqipëria, e cila rrezikoi përmes Armando Brojës dhe Nedim Bajramit.
Në fushë, në pjesën e dytë u paraqitën edhe dy yjet tjerë nga Kosova, Mirlind Daku dhe Ylber Ramadani.
Me këtë pikë, Shqipëria shkon në kuotën e katër pikëve, pas tri ndeshjeve të luajtura.
Ndërkohë, Serbia ka një pikë në vetëm një ndeshje.
Ky ishte takimi i parë mes dy kombëtareve që nga incidenti i vitit 2014 në Beograd, ku një dron me flamurin e Shqipërisë së Madhe shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes dhe një fitore 3-0 në tavolinë për Shqipërinë.
Për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të ngjashme, autoritetet shqiptare morën masa të rrepta sigurie, duke angazhuar mbi 2,000 efektivë policie dhe duke ndaluar hyrjen e tifozëve serbë në stadium
(Kosova Sot Online)