Ja kush interesohet për Edon Zhegrovën

  • A.P /
  • 13 June 2025 - 07:51
Ja kush interesohet për Edon Zhegrovën

Merkatoja e verës ka sjellë një emër interesant në radarët e Atalanta-s: Edon Zhegrova, sulmuesi i krahut nga Kosova, që po shkëlqen me fanellën e Lille në Francë.

Sipas raportimeve të Corriere di Bergamo, klubi bergamask ka ndërmarrë hapat e parë konkretë në drejtim të transferimit të mundshëm të Zhegrovës, duke realizuar një sondazh eksplorues për të kuptuar kushtet e mundshme të një marrëveshjeje me klubin francez.

Zhegrova është një futbollist që përshtatet në mënyrë ideale me filozofinë e Atalanta-s: teknik, i shpejtë, me driblim të fortë dhe aftësi për të krijuar epërsi numerike në krahët e sulmit. Këto karakteristika e bëjnë atë një opsion tërheqës për trajnerin Ivan Jurić, i cili synon të freskojë repartin ofensiv me elementë të rinj dhe kreativë.

Futbollisti 25-vjeçar vjen pas një sezoni pozitiv në Ligue 1, ku ka treguar rritje të ndjeshme në lojë, duke u bërë një nga pikat e forta të Lille në krahët e sulmit.

Interesimi i Atalanta-s tregon vlerësimin që po merr lojtari jo vetëm për paraqitjet aktuale, por edhe për potencialin e tij në të ardhmen.

(Kosova Sot Online)