
Kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet për misionin 'anti-Suedi'

Pas barazimit me Slloveninë pa gola në “Fadil Vokrri”, kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet për misionin “anti-Suedi”.
Gjatë ditës së sotme, futbollistët e kombëtares së Kosovës i janë rikthyer stërvitjeve për të qenë gati për ndeshjen e radhës të këtij muaji – atë ndaj Suedisë në Goteborg.
Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë me dije se lojtarët që luajtën mbrëmë kanë pasur vetëm rigjenerim në ambientet e hotelit ku po qëndrojnë, teksa në fushën stërvitore u paraqitën ata futbollistë që s’patën minuta në këmbët e tyre.
FFK-ja më tutje njofton se Fidan Aliti – i cili është i suspenduar për lojën e radhës – është liruar nga grumbullimi, së bashku me Lumbardh Dellovën, i cili nuk arriti të rikuperohej në kohë nga një lëndim që po e shqetëson që dy javë.
(Kosova Sot Online)