Edhe një lojtar i del në mbrojtje Lamine Yamalit
															Ylli i Barcelonës, Alejandro Balde, këtë javë ka dalë në mbrojtje të shokut të skuadrës dhe mikut të tij të ngushtë, Lamine Yamal, pas valës së kritikave që 18-vjeçari po përballet në media.
Lamine ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë javëve të fundit në Spanjë dhe më gjerë.
Fillimisht, ai u përfshi në polemika pas disa komenteve të diskutueshme para “El Clásico”, ndërsa më pas mediat raportuan gjerësisht për ndarjen e tij me këngëtaren Nicki Nicole.
Megjithatë, talenti i ri iu përgjigj më së miri në fushë, duke shënuar golin e parë në fitoren 3-1 të Barcelonës ndaj Elches të dielën.
Pas ndeshjes në “Montjuïc”, Balde foli për mediat dhe shfrytëzoi rastin për të mbrojtur mikun e tij, duke theksuar profesionalizmin dhe karakterin e Lamine Yamalit:
“Është e vërtetë që ai është gjithmonë në qendër të vëmendjes. Mendoj se është një profesionist i madh, pavarësisht se është shumë i ri. Ajo që po bën është e pabesueshme. Njerëzit ndonjëherë nuk e vlerësojnë sa duhet, por ajo që po arrin në moshën 18-vjeçare është e papërshkrueshme. Ai po tregon një personalitet të madh, punon çdo ditë për t’u përmirësuar dhe sot e tregoi sërish. Ka një talent të veçantë dhe po e shfrytëzon në maksimum”, tha ai.
(Kosova Sot Online)
																													
																													
																													
																													
																													
																													