McTominay: Nuk është faji i Manchester United që ish-lojtarët shkëlqejnë
Ylli i Napolit, Scott McTominay, ka folur për arsyet pse shumë ish-lojtarë të Manchester United po japin performanca të shkëlqyera pas largimit nga Old Trafford. Sipas skocezit, është “shumë e lehtë” të fajësohet klubi për suksesin e tyre jashtë Anglisë.
McTominay, produkt i akademisë së United, nuk ishte gjithmonë titullar i rregullt, por në sezonin e tij të parë te Napoli u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Serie A 2024/25, duke kontribuar në fitimin e titullit nga Partenopeët. Ai theksoi se largimi i lojtarëve dhe suksesi i mëvonshëm lidhet kryesisht me besimin te vetja dhe minutat e mëdha në fushë, dhe jo me dështimin e Manchester United.
“Në vitin tim të fundit te United bëra mirë, shënova dhjetë gola dhe fituam një trofe. Është shumë e lehtë të thuash se duke u larguar ata po shkëlqejnë. Suksesi lidhet me besimin dhe mundësinë për të luajtur rregullisht,” deklaroi McTominay.
Ai shtoi se Manchester United gjithmonë i ka ofruar gjithçka që nevojitej për të pasur sukses, nga stërvitja te nutricioni dhe taktika.
Napoli arriti një fitore 2-0 ndaj Milanit në gjysmëfinalen e Supercoppa Italiana dhe do të përballet me fituesin e sfidës Bologna–Inter në finalen e së hënës.
(Kosova Sot Online)
