Lojtarët e Realit fishkëllehen pavarësisht fitores ndaj Alavésit

  • A.P /
  • 22 April 2026 - 13:30
Lojtarët e Realit fishkëllehen pavarësisht fitores ndaj Alavésit

Vetëm pak ditë pas eliminimit nga Liga e Kampionëve prej Bayern Munichut, Real Madridi gjendet duke i bërë llogaritë me zemërimin e publikut të tij.

Në “Santiago Bernabéu”, pavarësisht fitores 2-1 ndaj Alavésit, u zhvillua një protestë e vërtetë.

Tifozët i kanë vënë në shënjestër disa protagonistë të një sezoni zhgënjyes; ndër më të goditurit Kylian Mbappé, i pritur me fishkëllima që në nxehje dhe në prekjet e para të topit.

Francezi u përgjigj me një gol – i 41-ti sezonal – por pa festuar, duke u kufizuar në disa buzëqeshje ndaj shokëve të skuadrës, pa asnjë gjest drejt tribunave. Një sinjal i qartë tensioni.

Nuk shkoi më mirë as për Vinícius Júnior, i fishkëllyer gjatë gjithë ndeshjes pavarësisht golit të përkohshëm të dyfishimit, i festuar me një gjest kërkim-faljeje ndaj tifozëve.

Edhe Eduardo Camavinga përfundoi në shënjestër: hyrja e tij në pjesën e dytë u shoqërua me një refuzim të fortë, pasojë edhe e kartonit të kuq të marrë pikërisht kundër Bayernit.

Klima u bë edhe më e rëndë me rastin e Franco Mastantuono: talenti argjentinas, i futur në fillim të pjesës së dytë në vend të Arda Güler, u prit me një valë të fortë fishkëllimash.

Një sinjal i qartë: investimi i madh i bërë nga klubi – rreth 60 milionë plus bonuse të paguara te River Plate – dhe pritshmëritë fillestare kanë sjellë pakënaqësi.

Lojtari i lindur në 2007 po e paguan një sezon të komplikuar: pak hapësirë si me Xabi Alonson ashtu edhe me Álvaro Arbeloan, rendiment i kufizuar (3 gola dhe 1 asist) dhe gjithashtu një episod negativ si përjashtimi kundër Getafes për protesta.

Ai vetë, muaj më parë, e kishte pranuar: “Nuk jam Messi dhe nuk jam as blerja më e keqe e Realit.”

(Kosova Sot Online)