Flick ka reaguar pas lëndimit të Lamine Yamal
Trajneri i FC Barcelona, Hansi Flick, ka reaguar pas lëndimit të talentit të ri Lamine Yamal, duke theksuar se situata nuk është e lehtë as për lojtarin dhe as për skuadrën.
Në një deklaratë për media, Flick pranoi vështirësitë që sjell një dëmtim i tillë për një futbollist të ri, por nënvizoi rëndësinë e menaxhimit të situatës.
“Nuk është e lehtë, as për ne dhe as për të. Duhet ta menaxhojmë këtë situatë, dhe ai gjithashtu duhet ta menaxhojë dhe të mësojë nga kjo,” u shpreh trajneri gjerman.
Megjithatë, Flick mbetet optimist për rikthimin e shpejtë dhe ndikimin e Yamal në ekip. Sipas tij, kjo periudhë mund të shërbejë si një moment rritjeje për talentin spanjoll.
“Mendoj se ai do të kthehet më i fortë dhe do ta ndihmojë ekipin të bëhet edhe më i fortë se sa është tani,” shtoi Flick.
Lëndimi i Yamal konsiderohet një goditje për Barcelonën, duke pasur parasysh formën e tij të mirë këtë sezon, ndërsa klubi dhe tifozët shpresojnë për një rikthim sa më të shpejtë të tij në fushë.
(Kosova Sot Online)
