Guardiola: Futbolli po humb tifozët

  • A.P /
  • 25 April 2026 - 13:30
Guardiola: Futbolli po humb tifozët

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka ngritur shqetësimin për rritjen e çmimeve të biletave në Kupën e Botës, duke theksuar se futbolli po largohet gjithnjë e më shumë nga tifozët.

Në një deklaratë të fortë, Guardiola rikujtoi kohët kur Kupa e Botës ishte një festë e vërtetë për dashamirët e futbollit në mbarë botën.

“Shumë kohë më parë, Kupa e Botës ishte një festë e gëzimit të futbollit. Të gjithë udhëtonin nga e gjithë bota për të parë vendin e tyre,” u shpreh ai.

Megjithatë, sipas tij, realiteti i sotëm është krejtësisht ndryshe, me çmime që janë bërë të papërballueshme për shumë tifozë.

“Por tani, në epokën moderne, është bërë shumë e shtrenjtë. Futbolli është për tifozët!” theksoi Guardiola.

Trajneri katalanas shkoi edhe më tej, duke dhënë një mesazh të qartë për industrinë e futbollit dhe organizatorët e eventeve madhore.

“Ky biznes nuk funksionon pa tifozët,” deklaroi ai, duke nënvizuar rolin jetik që kanë përkrahësit në ekzistencën dhe suksesin e lojës.

Deklaratat e Guardiolës pritet të hapin debat mbi komercializimin e futbollit dhe aksesin e tifozëve në ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare.

(Kosova Sot Online)