Mbappe në rangun e Messit e Ronaldos
Transferimi i shumëpritur i Kylian Mbappés te Real Madridi vazhdon të jetë një nga “operacionet” më të mëdha financiare në historinë e futbollit.
Edhe pse sulmuesi francez u transferua si lojtar i lirë pas largimit nga Paris Saint-Germain, shifrat totale të marrëveshjes tregojnë një realitet krejt tjetër, shkruan “Goal.com”.
Sipas këtyre raportimeve, paketa totale financiare që Real Madridi e ka investuar për Mbappén mund ta kalojë shifrën e 400 milionë eurove gjatë pesë viteve të kontratës së tij.
Në këtë përllogaritje përfshihen: paga, bonuse të kontratës, të drejtat e imazhit dhe shpërblime të ndryshme individuale.
Sulmuesi francez nënshkroi kontratë pesëvjeçare me “Los Blancos” deri në vitin 2029, ndërsa raportohet se e merr një pagë neto mes 15 dhe 20 milionë euro në sezon.
Përveç kësaj, Mbappé e ka siguruar edhe një bonus gjigant firmosjeje që sipas burimeve të ndryshme varion nga 125 deri në 150 milionë euro, i shpërndarë në këste gjatë viteve të kontratës.
Një element shumë i rëndësishëm në marrëveshje janë edhe të drejtat e imazhit.
Ndryshe nga shumica e futbollistëve që i ndajnë fitimet komerciale me klubin, Mbappé ka arritur ta mbajë një përqindje shumë të madhe të tyre, çka e rrit ndjeshëm vlerën ekonomike të operacionit.
Në Spanjë dhe Francë besohet se Real Madridi e konsideron Mbappén jo vetëm si një përforcim sportiv, por edhe si një projekt global marketingu, në të njëjtin nivel me epokat e Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit.
Klubi madrilen pret që investimi të rikuperohet përmes shitjeve të fanellave, sponsorëve, marketingut global dhe rritjes së të ardhurave komerciale.
Interesant është fakti se PSG-ja kishte refuzuar në të kaluarën oferta shumë të mëdha për francezin.
Në vitin 2023 u raportua se klubi parisien e kishte vendosur një çmim prej 400 milionë eurosh për kartonin e tij, ndërsa vetë lojtari kishte insistuar vetëm për transferimin te Real Madridi.
Pra, edhe pse zyrtarisht Mbappé kaloi “falas” në Madrid, shifrat reale të marrëveshjes e bëjnë atë një nga transferimet më të kushtueshme që futbolli ka parë ndonjëherë.
(Kosova Sot Online)
