Ky klub i njohur futet në garë për Lewan

  • A.P /
  • 13 May 2026 - 13:30
Ky klub i njohur futet në garë për Lewan

E ardhmja e Robert Lewandowskit vazhdon të mbetet një nga temat më të nxehta të “pazarit” evropian të futbollit.

Sulmuesi polak është lidhur në javët e fundit me një kalim të mundshëm te Milani, Juventusi apo Porto, por Barcelona ende nuk ka hequr dorë nga ideja për vazhdimin e kontratës së veteranit.

Sipas raportimeve nga mediat italiane dhe spanjolle, klubi katalunas vazhdon të mbajë kontakte me përfaqësuesit e lojtarit për ta diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje të re, edhe pse me kushte financiare më të ulëta se kontrata aktuale.

Barcelona e vlerëson ende eksperiencën dhe ndikimin e Lewandowskit në skuadër, sidomos në dhomat e zhveshjes dhe në repartin ofanziv.

Në Itali, si Milani ashtu edhe Juventusi po e monitorojnë situatën me shumë interes.

Të dy klubet janë në kërkim të një sulmuesi me eksperiencë për sezonin e ardhshëm dhe emri i Lewandowskit shihet si një mundësi e madhe, sidomos nëse ai largohet si lojtar i lirë.

Juventusi madje thuhet se e ka menduar një kontratë njëvjeçare me pagë rreth 6 milionë euro neto në sezon.

Ndërkohë, surpriza e fundit vjen nga Portugalia. Porto ka hyrë seriozisht në garë për “bomberin” polak dhe sipas “Sky Sport Deutschland”, ka bërë kontakte konkrete me menaxherin e lojtarit.

Edhe pse negociatat nuk janë ende në fazë të avancuar, interesimi i klubit portugez konsiderohet real.

Vetë Lewandowski ka folur së fundmi për të ardhmen e tij, duke lënë gjithçka të hapur.

Sulmuesi e pranoi se po shqyrton oferta të ndryshme dhe nuk e përjashton as mundësinë e një aventure në një kampionat tjetër.

“Ende nuk e di se çfarë do të bëj. Ndihem mirë fizikisht dhe do t’i dëgjoj ofertat para se ta marr një vendim”, ka deklaruar polaku për mediat në vendlindjen e tij.

Në moshën 37-vjeçare, Lewandowski vazhdon të mbetet një emër shumë i kërkuar në tregun evropian.

Përveç interesimit nga Serie A dhe Porto, raportimet flasin edhe për oferta nga MLS dhe nga Arabia Saudite.

Barcelona, megjithatë, mbetet ende në lojë dhe dëshiron ta shmangë largimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të viteve të fundit.

Vendimi final pritet të merret pas përfundimit të sezonit. 

(Kosova Sot Online)