Muriç e konfirmon largimin nga Sassuolo
Arijanet Muriç ka konfirmuar se nuk do të vazhdojë të luajë te Sassuolo sezonin e ardhshëm, duke i dhënë fund aventurës së tij në Serie A pas vetëm një viti.
Portieri i Kombëtares së Kosovës, i cili është në pronësi të Ipswich Town dhe luan te Sassuolo në formë huazimi me të drejtë blerjeje, e bëri një deklaratë të fortë për mediat italiane, duke e lënë të qartë se vendimi i tij është përfundimtar.
“Nuk e kam ndërmend të luaj për Sassuolon sezonin e ardhshëm. Me përfundimin e huazimit, mbaron edhe koha ime këtu”, deklaroi Muriç.
Portieri 27-vjeçar shtoi se tashmë e ka informuar klubin për vendimin e tij dhe se arsyeja e largimit lidhet me çështje personale.
“E kam njoftuar klubin se nuk dua të qëndroj pas këtij sezoni për motive personale”, u shpreh reprezentuesi i Kosovës.
Deklarata e Muricit ka shkaktuar habi në Itali, pasi Sassuolo po e shqyrtonte mundësinë për ta blerë përfundimisht kartonin e tij nga Ipswich Town për rreth 10 milionë euro.
Megjithatë, duket se vetë lojtari ka vendosur t’i japë fund eksperiencës në klubin italian para se të niste çdo negociatë konkrete.
Muriç ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të Sassuolos këtë sezon.
Ai i zhvilloi 32 paraqitje në Serie A, duke i regjistruar mbi 100 pritje dhe duke qenë shpesh vendimtar për skuadrën në luftën për mbijetesë.
Karriera e portierit shqiptar nga Mali i Zi ka qenë mjaft interesante.
Ai është produkt i akademisë së Manchester Cityt, ndërsa gjatë viteve ka luajtur edhe në Holandë, Turqi, Spanjë dhe Angli para transferimit në Itali.
Aktualisht nuk ka ende informacione konkrete për destinacionin e tij të ardhshëm, por mediat angleze raportojnë se Muriç pritet të rikthehet fillimisht te Ipswich Town, klub me të cilin ka kontratë deri në vitin 2028.
(Kosova Sot Online)
