Ancelotti i gëzon brazilianët

  • A.P /
  • 13 May 2026 - 15:30
Ancelotti i gëzon brazilianët

Trajneri i kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, e ka pranuar se vendimi për ta përfshirë Neymarin në listën finale për Kupën e Botës 2026 është një nga dilemat më të mëdha që po përballet aktualisht.

Trajneri italian konfirmoi se ylli brazilian është përmirësuar ndjeshëm fizikisht javët e fundit me Santosin, por theksoi se stafi teknik duhet ta analizojë me shumë kujdes çdo aspekt para marrjes së vendimit final.

“Kur duhet të zgjedhësh, duhet t’i marrësh parasysh shumë gjëra. Neymar është një lojtar shumë i rëndësishëm për këtë vend për shkak të talentit që e ka treguar gjithmonë. Ai ka pasur probleme fizike, por po punon fort për t’u rikuperuar”, deklaroi Ancelotti në një intervistë për “Reuters”.

Ai tutje shtoi se Neymar ka treguar progres të madh kohët e fundit dhe po luan rregullisht me Santosin, por vendimi përfundimtar nuk do të bazohet në emocione apo histori personale.

“Ai është përmirësuar shumë së fundmi dhe po luan vazhdimisht. Natyrisht, për mua nuk është një vendim i lehtë. Duhet t’i peshojmë me kujdes avantazhet dhe disavantazhet”, u shpreh Ancelotti.

Neymar është përfshirë në listën paraprake prej 55 lojtarësh të Brazilit, por lista finale me 26 futbollistë do të publikohet më 18 maj.

Sulmuesi 34-vjeçar nuk ka luajtur me kombëtaren që nga tetori i vitit 2023, kur e pësoi dëmtimin e rëndë në ligamentet e gjurit gjatë ndeshjes kundër Uruguait.

Ancelotti foli edhe për ndikimin që Neymar e ka brenda grupit të kombëtares.

Sipas tij, lojtari vazhdon të jetë shumë i dashur nga bashkëlojtarët dhe tifozët brazilianë, gjë që konsiderohet një faktor i rëndësishëm në analizën e stafit teknik.

“E di shumë mirë që Neymar është shumë i dashur, jo vetëm nga publiku, por edhe nga lojtarët. Kjo është gjithashtu një gjë që duhet marrë parasysh, sepse atmosfera në grup është shumë e rëndësishme”, deklaroi italiani.

Megjithatë, Ancelotti insistoi se askush nuk do të ndikojë në vendimin e tij dhe se përzgjedhja do të jetë plotësisht profesionale.

“Nuk jam nën presion nga askush për ta grumbulluar Neymarin. Kam autonomi totale. Vendimi do të jetë 100% profesional dhe do të bazohet vetëm në performancën e tij si futbollist”, tha trajneri.

Në muajt e fundit Neymar ka treguar shenja rikuperimi me Santosin, duke i bërë disa paraqitje pozitive dhe duke luajtur me intensitet më të lartë.

Ai i ka zhvilluar 13 ndeshje gjatë vitit 2026, me 6  gola dhe 3 asistime.

Pavarësisht përmirësimit, shqetësimi kryesor mbetet gjendja e tij fizike dhe aftësia për ta përballuar ritmin e lartë të një turneu si Botërori.

Ancelotti e dëshiron një skuadër me intensitet, presion dhe disiplinë taktike, ndaj vendimi për Neymarin pritet të analizohet deri në momentet e fundit.

(Kosova Sot Online)